75 Mall Live Search
09:24 / E Mërkurë, 11 Nëntor 2020 / OSH

Vaksina anti-Covid që ngjalli shpresë, por cilat janë efektet anësore

Zbulimi i një vaksine me efikasitet 90% kundër koronavirusit ishte lajmi që bëri xhiron e botës dhe solli një dritë shprese kur rastet e infektimeve dhe vdekjeve po njohin vetëm rritje.

Por askush nuk kishte folur rreth efekteve anësore që ajo mund të shkaktojë te njerëzit.

Tabloidi britanik “Daily Mail” sjell dëshmitë e disa vullnetarëve të cilët tregojnë eksperiencën e tyre pas marrjes së vaksinës së Pfizer.

Shumë prej tyre i krahasojnë efektet anësore të saj me një dhimbje koke pas një nate me alkool, ndërsa të tjerë tregojnë se kanë pasur temperaturë apo dhimbje muskujsh të ngjashme me ato pasi merr vaksinën e gripit.

Një vullnetar 45-vjeçar thotë se kur mori dozën e parë kishte efekte njësoj si pas vaksinës së gripit, ndërkohë që simptomat u bënë më të forta pas dozës së dytë.

Një tjetër vullnetar i quajtur Glenn Deshiels shpjegon se pati dhimbje koke pas aplikimit të vaksinës së Pfizer si pas një nate të gjatë me alkool, por që iu largua shumë shpejt.

Deri në këto momente 43,500 njerëz në 6 vende të ndryshme i janë nënshtruar fazës së tretë të testimeve klinike nga gjiganti farmaceutik që po kërkon vaksinën efektive kundër Covid-19.

Carrie, një publiciste nga Missouri tregon se e mori dozën e parë të vaksinës në shtator dhe të dytën muajin e kaluar. Ajo thotë se pati dhimbje koke, temperaturë dhe dhimbje në të gjithë trupin. Sipas saj këto simptoma u bënë dhe më të vështira pas dozës së dytë.

Publicistja iu bashkua këtyre vullnetarëve pasi e konsideronte këtë thirrje si një detyrë civile dhe deklarata e Pfizer për efektshmërinë e vaksinës e kishte bërë atë krenare për vendimin e marrë.

Gjithësesi, shumë vende kanë nisur që tashmë porositë për të siguruar dozat e para të vaksinës.

Në korrik Pfizer kishte rënë dakord me qeverinë amerikane për furnizimin e 100 milion dozave të vaksinës së saj me një çmim prej 39 dollarësh për një imunizim me dy doza, ose 19.5 dollarë për dozë, me opsionin për të shitur 500 milion doza të tjera në kushtet për t’u negociuar veçmas.

“Çmimi për SHBA për 100 milionë dozat e para është 19,50 dollarë për dozë”– tha kryeshefi i strategjisë i BioNTech, Ryan Richardson pas publikimit të rezultateve të tremujorit të tretë të martën.