Vaksinohet Mbretëresha Elisabeth

Mediet britanike njoftojnë se Mbretëresha Elizabet dhe burri i saj Princi Philip kanë marrë vaksinën kundër Covid-19-ës. Lajmi është njoftuar gjithashtu edhe nga Pallati Buckingham.
“Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut kanë marrë këtë të shtunë vaksinat kundër COVID-19-ës,” ishte deklarata e pallatit mbretëror. Mbretëresha dhe Princi janë në moshë të thyer, përkatësisht Mbretëresha Elisabet 94 vjeç dhe Philipi është 99 vjeç.
Burime afër oborrit mbretëror, kishin bërë me dije për mediet britanike se vaksinimet e çiftit mbretëror i kishte kryer mjek i rezidencës Windsor Castle. Lajmi është bërë publik për të kundërshtuar çdo spekulim thonë burime nga pallati mbretëror.
Deri më tani, Mbretëresha dhe Duka janë mes 1.5 milion njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar që kanë marrë të paktën një dozë kundër koronavirusit. Britania është vendi i parë që miratoi vaksinat nga Pfizer / BioNTech dhe AstraZeneca, ndërsa më vonë edhe ato të Modernas.
Të parët që kanë nisur vaksinimin janë bluzat e bardha të vijës së parë dhe grupet e rrezikuara, si qytetarët mbi 80 vjeç dhe banorët e shtëpive të kujdesit.
Mbretëresha dhe Princi Philip pjesën më të madhe të pandemisë e kanë kaluar në vetizolim në Windsor për shkak të moshës së tyre të thyer.