18:51 / E Mërkurë, 08 Maj 2019 / indeksADMonline

“Vala” dhe “Z mobile” pajtohen rreth borxhit

Sot, komiteti ndërministror për ndërmarrje publike, i udhëhequr nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka ftuar në takim pune bordin dhe ekzekutivin e Telekomit të Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e kompanisë Dardafon.net (Z mobile).

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Zv.ministri i Financave, Fatmir Gashi dhe Zv. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa.

Kërkesa e komitetit ndërministror ishte që të krijohet një mundësi e re për të dyja palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre dhe pa presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës palë. Borxhi ndaj kompanisë në fjalë është vendosur nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga Gjykata e Apelit, prandaj në këtë moment edhe është i pakontestueshëm.

Pas një diskutimi nga të gjithë të pranishmit, palët u pajtuan që deri më 15 qershor të bëjnë një plan të pagesave ndaj këtij borxhi. Në këtë formë, grupet negociuese nuk do të vendosin temën e pagesës në diskutime.

Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, dhe Besa Shatri, kryetare eBordit, janë zotuar që të dalin me një plan konkret të shlyerjes së detyrimeve ndaj Z Mobile, sipas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar. Me këtë propozim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Z Mobile, të cilët, në mënyrë që t’i jepet kohë Telekomit për të përpunuar planin, kanë pranuar që procesi i përmbarimit të detyrimeve të shtyhet deri më datën 15 qershor 2019.

Palët janë shprehur të bindura se kjo qasje nënkupton mënyrën më të mirë për të ecur përpara, duke i mbrojtur interesat e të dyja ndërmarrjeve, si dhe duke respektuar ligjshmërinë e obligimeve kontraktuale.

Anëtarët e Komitetit janë zotuar të shikojnë opsionet e garantimit nga Qeveria të kredisë investive për Telekomin.