10:40 / E Martë, 02 Mars 2021 / OSH

Valbon Krasniqi jep detaje për gjendjen në SHSKUK, 410 pacientë janë me oksigjeno-terapi

Brenda 24-orëve të fundit sipas raportit të IKSHPK-së, 467 persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, duke bërë kështu të jetë shifra më e lartë tash e disa muaj në vendin tonë.

Se situata po rrëshqet drejt një numri të lartë të të prekurve me Covid-19 e pranojnë edhe drejtuesit e institucioneve të shëndetësisë ne vend.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, në një intervistë për IndeksOnlinen ka treguar se situata aktualisht është e menaxhueshme dhe se rritjen e rasteve gjatë ditëve të fundit janë duke e përcjell me vëmendje të veçantë.

Krasniqi ka treguar se aktualisht në spitalet dhe klinikat e SHSKUK-së  janë duke u trajtuar 528 pacientë me Covid-19.

Ndërsa pjesa dërmuese e tyre kanë nevojë për trajtim me oksigjen.

“Numri i pacientëve të shtruar në spitale gjatë këtyre  dy muajve të fundit është sjell  diku rreth 500 pacientë më së paku ka qenë 460  dhe më së shumti ka qenë 514. Sot kur po flasim në nivel të SHSKUK-së gjendja në spitale dhe në klinika të QKUK-së kemi 528 pacientë të shtrurë që janë duke u trajtuar. Nga ta 410 kemi me oksigjenoterapi të vazhdueshme”, tha Krasniqi për IndeksOnline.

Ai ka treguar se 29 pacientë janë në gjendje më të rëndë e të cilët po trajtohen në repartet e kujdesit intensiv.

“29 i kemi në gjendje më të rëndë, të cilët janë duke u trajtuar në repartet e kujdesit intensiv, 6 prej tyre jam me respiratorë, të intubuar gjendja e tyre vlerësohet shumë kritike dhe 23 i kemi me metodën tjetër të asistimit me ventilim mekanik”, nënvizoi Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se në ditët e fundit ka pasur tendencë në rritje të pacientëve që kanë kërkuar trajtim spitalor, e për këtë tashmë dihet “fajtori”.

“Ne jemi duke e përcjell situatën me vëmendje dhe është e pritshme kjo veçanërisht prej fushatës politike tubimeve ku ka pasur aspak respektim të masave antiCovid dhe kjo tani po reflektohet me numrin e rasteve të reja të shtuara të të infektuarve”, tha Krasniqi.

Krasniqi, ka theksuar se ai nuk e ka idenë se kur do të vijnë vaksinat.

Për vaksinën është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë, Në IKSHPK jemi duke pritur që të vijë vaksina. Nuk kam informata të sakta se në cilën ditë mund të vijë vaksina.

Ndërsa ka porositur qytetarë që të vazhdojnë të respektojnë vendimet e institucioneve, duke përfillur masat antiCovid.

“Porosia ime për qytetarë është edhe më tej të vazhdojmë të respektojmë masat, nuk guxojmë të shpërqendrohemi, as në aspektin individual e as në atë kolektiv, sepse virusi është ende në vend dhe është duke u përhapur në masë”, tha Krasniqi./IndeksOnline/