21:50 / E Martë, 19 Qershor 2018 / indeksADMonline

Valdet Sadiku: Ndalesa e Maliqit nga Serbia, shkelje e marrëveshjes për liri të lëvizjes

Valdet Sadiku nga Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se ndalimi i Shkelzen Maliqit për të kaluar në Serbi është shkelje e marrëveshjes për liri të lëvizjes.

“Ndalesa e Shkelzen Maliqit është një shkelje e vrazhdë e marrëveshjes për liri të lëvizjes, pasi Maliqi i ka plotësuar të gjitha kushtet për të lëvizë lirshëm”, ka thënë Valdet Sadiku, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.

Ndalimi i Maliqit nga Serbia, sipas Sadikut tregon shumë për ata që e kanë dhënë urdhrin për këtë ndalesë e zyrtarëve serb, përcjell Telegrafi.

“Përtej aspektit zyrtar dhe profesional, si mundë të ndalohet Shkëlzen Maliqi, kur ky i fundit edhe në kohët më të vështira të historisë moderne, njihet si një person që përçon vetëm mesazhe paqeje. Fakti që Maliqi u ndalua të kalojë në Serbi, tregon shumë për ata që e kanë dhënë urdhrin për këtë ndalesë”, deklaroi diplomati Sadiku.

Sadiku ka përmendur se Serbia ka ndryshuar qasje kohëve të fundit në raport me Kosovën.

Duke komentuar arrestimin e Gjuriqit, Sadiku ka thënë se ai u ndalua në bazë të disa procedurave.

“Ekzistojnë procedura që janë respektuar në përpikëri nga autoritetet e Kosovës gjatë arrestimit të Gjuriqit. Nuk ka vend për krahasim me këto dy raste”, ka thënë më tej Valdet Sadiku.