Valë arrestimesh në Turqi – kapet kryetari i komunës së Beyoglut, bashkë me 40 zyrtarë

Autoritetet turke kanë goditur sërish opozitën. Të premten, policia turke ka arrestuar kryetarin e komunës së Beyoglut në Stamboll, Inan Guney, së bashku me 40 zyrtarë të tjerë, si pjesë e një hetimi për korrupsion.
Lajmi është bërë i ditur nga media turke Birgun, e cila shkruan se në pranga kanë përfunduar edhe truproja, këshilltari dhe ndihmësi i Guneyt. Ai është dërguar menjëherë në paraburgim, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.
Guney vjen nga Partia Popullore Republikane (CHP), partia më e madhe opozitare në Turqi, e cila këtë vit është përballur me një valë të paprecedentë arrestimesh, sidomos në komunat që kontrollon.
Kujtojmë se në mars është arrestuar edhe kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu – kandidati presidencial i CHP-së për zgjedhjet e ardhshme. Arrestimi i tij kishte nxitur protestat më të mëdha në vend që nga viti 2013.
Sipas një analize të Reuters, më shumë se 500 persona janë ndaluar që nga tetori i kaluar, në kuadër të kësaj fushate të gjerë hetimore.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se operacioni synon “një rrjet të korruptuar që është si ‘oktapod me krahë që shtrihen në pjesë të tjera të Turqisë dhe jashtë saj’”.
Edhe pse zgjedhjet presidenciale janë të parashikuara për vitin 2028, spekulohet se Erdogan mund të synojë rikandidim të hershëm, përmes një ndryshimi kushtetues që do t’i lejonte një mandat të tretë.
Nga ana tjetër, kritikët e kanë cilësuar këtë fushatë arrestimesh si të motivuar politikisht, me qëllim që të eliminohen rivalët kryesorë të Erdoganit përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Qeveria turke vazhdon të këmbëngulë se gjykatat janë të pavarura dhe se vendimet nuk ndikohet nga politika.