75 Mall Live Search
23:58 / E Shtunë, 04 Tetor 2025 / BA

“Valë protestash” në Europë kundër ofensivës në Gaza, mijëra qytetarë marshojnë në Barcelonë dhe Romë

Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në Barcelonë të shtunën, ndërsa turma të mëdha dolën në rrugët e Romës për ditën e dytë të protestave italiane kundër ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza.

Protestat në qytetin e dytë më të madh të Spanjës, si dhe në Madrid, ishin organizuar prej javësh, ndërsa demonstratat në Romë dhe më vonë në Lisbonë u nxitën nga zemërimi pas ndalimit nga Izraeli të një anijeje ndihmash humanitare, e nisur nga Barcelona për të thyer bllokadën ndaj Gazës.

Më shumë se 40 shtetas spanjollë, përfshirë edhe një ish-kryetar bashkie të Barcelonës, ishin mes 450 aktivistëve që u ndaluan nga Izraeli dhe u larguan nga anijet.

Në Itali, më shumë se 2 milionë njerëz u mblodhën të premten në një grevë të përgjithshme në mbështetje të palestinezëve në Gaza.

Spanja ka shfaqur një mbështetje në rritje për palestinezët gjatë javëve të fundit, ndërsa qeveria e saj e majtë po rrit presionin diplomatik kundër qeverisë së djathtë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e ka quajtur shkatërrimin në Gaza “gjenocid” dhe ka kërkuar ndalimin e ekipeve izraelite nga ngjarjet sportive ndërkombëtare. Protesta të shumta u zhvilluan edhe gjatë garës së çiklizmit Vuelta, kundër një ekipi çiklizmi në pronësi izraelite.

Ndërkohë, Hamasi ka bërë të ditur se ka pranuar disa elementë të planit të paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare, e cila ka shkaktuar krizë të rëndë humanitare në Gaza dhe akuza ndërkombëtare për gjenocid kundër Izraelit.

Bashkia e Barcelonës raportoi se rreth 70 mijë persona morën pjesë në protestën e së shtunës, duke mbushur bulevardin kryesor të qytetit, Passeig de Gracia. Protestuesit, të të gjitha moshave, mbanin flamuj palestinezë dhe pankarta me slogane si: “Gaza më dhemb”, “Ndalo gjenocidin” dhe “Larg duart nga flota”.

Shumë prej tyre shpresojnë që protestat të nxisin më shumë presion ndaj udhëheqësve evropianë për të reaguar ndaj situatës në Gaza.

“Si është e mundur që po dëshmojmë një gjenocid drejtpërdrejt, pas asaj që ne përjetuam në vitet 1940? Askush nuk mund të thotë se nuk e dinte çfarë po ndodhte”, tha María Jesús Parra, 63 vjeç, e cila udhëtoi një orë për të marrë pjesë në protestë.

Në Romë, protesta nisi pranë Koloseut dhe përfundoi në sheshin San Giovanni. Organizatorët, përfaqësues palestinezë, sindikata dhe grupe studentore, pretendojnë se rreth 1 milion vetë morën pjesë, megjithëse nuk kishte vlerësime zyrtare.
Protestuesit duartrokitën emrin e Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për territoret palestineze, një zë kritik ndaj politikave të Izraelit.

Edhe pse organizatorët kërkuan që të mbaheshin vetëm flamuj palestinezë, u panë edhe banderola që lëvdonin grupet militante Hamas dhe Hezbollah, përfshirë një që lexonte: “7 tetori, Dita e Rezistencës Palestineze”, në referencë ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Riccardo Magi, deputet i opozitës dhe sekretar i partisë “Më shumë Evropë”, i cili mori pjesë në marshim, kritikoi kryeministren Giorgia Meloni për refuzimin për të njohur shtetin palestinez.

“Meloni nuk mund të vazhdojë me këtë viktimizëm të turpshëm. Këto janë demonstrata spontane kundër mosveprimit të qeverisë së saj. Ajo duhet të punojë diplomatikisht për paqen”, tha ai për mediat italiane.

Protesta të tjera u zhvilluan edhe në Madrid, Lisbonë, Athinë dhe Shkup. Në Greqi, autoritetet presin që të dielën të zhvillohet një protestë masive pro-palestineze, paralelisht me një manifestim pro-izraelit. Policia do të jetë në gatishmëri për të shmangur përplasjet, siç ka ndodhur më parë.