13:34 / E Mërkurë, 23 Nëntor 2022 / shkelqim osmanaj

“Valon Vataj Foundation” financon faktografinë e Ilaz Bylykbashit e cila u refuzua nga institucionet e Kosovës

Në vargun e aktiviteteve humanitare “Valon Vataj Foundation” ka nënshkruar marrëveshjen për financimin e monografisë së fotoreporterit Ilaz Bylykbashi, i njohur si kronisti i ngjarjeve me fotografi.

Në këtë libër dokumentohen me anë të fotografive të shkrepura nga z.Bylykbashi, ngjarjet që lanë shenjë në përpjekje për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Demonstratat, burgosjet, gjykimet, konferencat, rasti i familjes Jashari, rrënimi i shtëpive të shqiptarëve nga regjimi serb etj. janë të renditura si kronika me qindra fotografi, në këtë libër që shumë shpejt do të jetë në duart e lexuesve.

Mes maltretimeve të shumta dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, fotoreporteri që nuk bindej dhe ndalej ndaj pengesave policore ia doli të shkrepte fotografi përmes aparatit ‘Praktika’ dhe “Nikon”, fotot që rrëfejnë pa zë rezistencën e shqiptarëve ndaj okupatorit serb.

“Dua ta falënderoj fondacionin e Valon Vataj i cili po e mundëson një projekt që është dashur të financohet nga institucionet e Kosovës, e jo nga individët. Jam tejet i lumtur që afaristi Valon Vataj me fondacionin e tij më mirëkuptoi, jo vetëm sot, por qysh para katër viteve më ka thënë vetëm puno se do të qëndroj prapa, dhe atë sot e kam realizu me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cila popullit të Kosovës ia ofron një dokumentacion me fotografi unike që askush nuk e ka” thotë ish-fotoreporteri i gazetës prestigjioze shqiptare “Rilindja”.

“Valon Vataj Foundation”, me krenari merr përsipër të financojë këtë libër i cili do të shërbeje si muze për gjeneratat e reja në mënyrë që të informohen se si u organizuan paraardhësit e tyre për ta ndërtuar Republikën e Kosovës, duke sfiduar armatën e një shteti tashmë tërësisht të shpërbërë.

“Për mua, baci Ilaz në këtë rast është aset kombëtar dhe është një njeri i cili është dëshmi e të gjitha arritjeve tona si shtet sot. Faktografia e këtij njeriu sot edhe më herët ka arritur të ngritë të gjithë botën në këmbë si rezultat i dëshmive që ka për një periudhë të gjatë sa i përket sakrificës së vendit tonë” tha drejtuesi i fondacionit, Valon Vataj.

Për pak ditë, “Valon Vataj Foundation” do të filloj në Suharekë, ndërtimin e Qendrës më inovative në rajon për fëmijët me Sindormë “Down” dhe Autizëm.

Para dy vjetësh, fondacioni ynë transformoi Çerdhen “Fluturat”, ku rikthehu buzëqeshjen e fëmijëve duke rinovuar në tërësi pjesët e këtij institucioni shkollor tejet të rëndësishëm në qytetin e Suharekës.

“Valon Vataj Foundation” vazhdon në shtigjet e gjata për të ndihmuar gjithsecilin që kontribuon në zhvillimin e vlerave të shoqërisë./Media Ndërtimi.