18:24 / E Enjte, 24 Shkurt 2022 / MSH

Van Dijk: Shpresoj të kem kualitetin e Matip

Kolosali i mbrojtjes së Liverpoolit Virgil van Dijk e ka lavdëruar mbrojtësin Joel Matip, pasi që të dy këta gjetën golin në fitoren 6:0 kundër Leeds mbrëmë, duke shpresuar që të ketë kualitetin e tij.

Pas dy penalltive të Salah, Matip e hapi llogarinë e tij të golave këtë sezon me një gol tejet të bukur, ndërsa Van Dijk e kompletoi rezultatin final me golin e tij të fundit të ndeshjes.

Fitorja dominuese me rezultat 6:0 e skuadrës së Jurgen Klopp kundër Leeds e afroi Liverpoolin në vetëm tre pikë me liderin e tabelës Manchester Cityn, ndërsa Van Dijk dhe Matip ndihmuan “Të Kuqtë” të mbajnë përsëri portën e paprekur, gjithsej e 14 kjo, ku vetëm City ka më shumë, respektivisht 15 sosh.

Sidoqoftë, aftësia dribluese e Matipit ka rënë në sy te partneri i tij i mbrojtjes, pas golit fantastik të tij, ku Van Dijk tani shpreson që ta kishte këtë aftësi.

“Të driblojë që nga mbrojtja është një kualitet i madh i tij. Shpresoj që ta kem këtë aftësi në raste të ndryshme. Ai niset dhe vazhdon pa frikë dhe në fund shpreson vetëm për më të mirën”, tha Van Dijk.

“Ai e ka këtë kualitet. Është një forcë e tij dhe sigurisht na ndihmon shumë sepse i tërheq lojtarët e tjerë jashtë pozicionimit të tyre. Jam tejet i lumtur për të”, shtoi mbrojtësi holandez.

Me fitoren e mbrëmshme, Liverpooli tani është i pamposhtur në 26 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ndërsa që prej kohës kur kishte pësuar gjashtë humbje radhazi në “Anfield” në vitin 2021, çdo skuadër tjetër ka pësuar të paktën një humbje në shtëpi këtë sezon.