75 Mall Live Search
16:00 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / F.R

Vance: Çarmatosja e Hamasit, mision i vështirë

Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance ka deklaruar se misioni për çarmatosjen e Hamasit në Rripin e Gazës dhe rindërtimin e enklavës palestineze do të jetë “shumë i vështirë”.

“Kemi një mision shumë të vështirë përpara nesh që është çarmatosja e Hamasit dhe rindërtimi i Gazës, për ta bërë jetën më të mirë për popullin e Gazës, por edhe për t’u siguruar që Hamasi të mos jetë më një kërcënim për miqtë tanë në Izrael”, tha J.D. Vance në një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas takimit të tyre.

Një marrëveshje armëpushimi në Gaza ka qenë në fuqi që nga 10 tetori pas më shumë se dy vitesh lufte midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, e cila shpërtheu pasi organizata terroriste Hamas dhe aleatët e saj sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023.