19:09 / E Hënë, 02 Gusht 2021 / AR

Varianti Delta prek edhe “vendlindjen” e Covid, kufizohet lëvizja në Wuhan

Qindra mijëra banorë u kufizuan sot në Kinë për shkak të rikthimit të epidemisë, që ka parë variantin Delta të përhapet në katër anët e vendit dhe ka arritur në qytetin e Wuhanit, i pari i prekur nga epidemia e COVID-19.

Kina ka çrrënjosur sëmundjen nga toka e saj që prej pranverës së 2020 dhe atje jeta është rikthyer gjerësisht në normalitet, pavarësisht ekzistencës së disa vatrave të kontaminimit, sporadike dhe deri tani shumë të lokalizuara.

Por, që prej zbulimit muajin e kaluar në Nankin të rasteve të reja të COVID-19, kjo vatër është përhapur me shpejtësi.

Në nivel kombëtar, të paktën 300 infektime, si pasojë e përhapjes së variantit Delta, janë të lidhura me këtë vatër.

Kjo rritje është padyshim ende shumë e kufizuar në krahasim me shifrat e regjistruara në vendet e tjera.

Rastet e reja janë raportuar gjithashtu në ishullin tropikal të Hainan (në jug), shumë i popullarizuar me turistë.

Wuhani, metropoli i madh qendror i cili ishte vendi i parë në botë për të raportuar raste të COVID-19 dhe për të imponuar kontroll të rreptë ndaj banorëve të tij në fund të vitit 2019, raportoi sot shtatë raste pozitive.