15:16 / E Mërkurë, 30 Tetor 2019 / indeksADMonline

Varroset me nderime ushtarake nënoficeri i FSK-së, Baki Ejupi

Nënoficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, kapter Baki Ejupi është varrosur sot në fshatin Sekiraqë të Podujevës.

Me ceremoni ushtarake, në praninë e mijëra qytetarëve, kapter Ejupit i është dhënë sot lamtumira e fundit.

Ushtaraku i FSK-së ndërroi jetë dje në vendin e punës, pas një ataku kardiak.

Ejupi ka shërbyer me përkushtim të madh në Brigadën e Reagimit të Shpejtë të Batalionit të Tretë në Mitrovicë, që nga themelimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Baki Ejupi qysh herët iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, Brigada 152, ndërsa me krijimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, ka shërbyer në Zonën e Pestë të TMK-së.

Kapter Baki Ejupi, pas vetës ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë./Indeksonline/