Vashat e Anglisë, mbretëresha të Europës

Kombëtarja e vashave të Anglisë është kurorëzuar kampione e Europës në futboll për herë të parë në histori, ku kanë mposhtur Gjermaninë. Chloe Kelly siguroi fitoren e anglezeve këtë të diel me një gol në shtesa për 2-1, kurse më parë kishte shënuar Ella Ann Toone (62) kurse kishte barazuar Lina Magull (79)
Anglia është kurorëzuar kampion i Europës për herë të parë këtë të diele kur vashat e Anglisë e mposhtën Gjermaninë në finale që u mbajt në Wembley.
E tërë Anglia është në festë për këtë titull dhe kjo shihet me numrin super të madh të shikuesve në këtë stadium, ashtu sikurse shihet në ndeshje të meshkujve.
Pjesa e parë e këtij takimi përfundoi e barabartë 0-0, me anglezët që rrezikuan më shumë së gjermanët por që nuk arritën të shënojnë gol.
Në pjesën e dytë kishte një ndeshje edhe më interesante.
Walsh bëri një pasim maestral për Ella Ann Toone e cila u gjend ballë për ballë portieres gjermane por anglezja bëri një finalizim të ftohtë si akulli duke e parabolluar atë dhe duke shënuar gol në minutën e 62-të të ndeshjes.
Megjithatë, gjermanet nuk u dorëzuan dhe pas një kohe arritën që ta barazojnë rezultatin.
Ishte Wassmuth që asistoi për Magull e cila po ashtu do ta shënonte një gol të bukur në minutën e 79-të, gol që e dërgoi në shtesa këtë takim.
Gjatë shtesave anglezet ishin më këmbëngulëse dhe shënuan edhe një gol në pjesën e dytë të shtesave.
Chloe Kelly do të shënonte golin në minutën e 110, gol që dërgoi në trans tërë Anglinë dhe festa aty është duke vazhduar si kurrë më parë.
Ky është trofeu i parë i Kombëtares së vashave të Anglisë në një Europian, kurse Gjermania e ka fituar atë 9 herë më parë.