17:02 / E Martë, 14 Nëntor 2023 / k.v

Vashat e Kosovës U19 pësojnë humbje nga Sllovenia në ndeshjen përcaktuese

Kombëtarja e Kosovës U19 në ka pësuar humbje nga Sllovenia U19, në ndeshjen vendimtare për promovim në Ligën A për kualifikimet e Evropianit “Lituania 2024″.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ‘Igrišče Terme” në Çatezh u mbyll me shifrat 5:2, në dobi të vashave sllovene.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 9-të kur shënoi Naja Miheliç.

Vetëm dy minuta më vonë Noelle Vilçnik shtoi epërsinë e slloveneve në 2:0, teksa Naja Miheliç shënoi pak para përfundimit të pjesës së parë për 3:0.

E njëjta futbolliste kompletoi “HatTrik”-un vetëm dy minuta pasi filloi pjesa e dytë për 4:0. Të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit, në minutën e 51-të e ngushtuan disavantazhin me golin e Eltina Bozhdaraj.

E njëjta futbolliste realizoi edhe në minutën e 80-të, por ishte vonë për ndryshim të epilogut të ndeshjes, ngase paraprakisht në minutën e 61-të Sllovenia shënoi edhe golin e pestë përmes Nezha Çebashek.

Do theksuar se për Dardanet gjërat u vështirësuan edhe më shumë nga minuta e 60-të kur Kreshnike Ramaja u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.