75 Mall Live Search
10:53 / E Martë, 06 Maj 2025 / L K

Vatikani ndërpret sinjalin telefonik deri në zgjedhjen e Papës së ri

Vatikani ka njoftuar se do të ndërpresë sinjalin telefonik në të gjithë qytetin shtet gjatë Konklavës për të zgjedhur Papën e ri.

Ky veprim nuk do të ndikojë në sheshin “Shën Pjetri”, ku mijëra besimtarë pritet të mblidhen për të pritur njoftimin e pasardhësit të Papa Françeskut, i cili vdiq më 21 prill.

Zyra e presidencës së guvernatorit të shtetit të Vatikanit tha se “të gjitha sistemet e transmetimit të sinjalit të telekomunikacionit për telefonat celularë të pranishëm në territorin e shtetit të qytetit të Vatikanit… do të çaktivizohen” nga ora 15:00 e 7 majit.

Sinjali do të rikthehet pas shpalljes së zgjedhjes së Papës suprem, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra.

Megjithatë, çaktivizimi i sinjalit nuk do të përfshijë sheshin “Shën Pjetri”, ka sqaruar zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, duke shtuar se besimtarët do të mund të ndjekin ngjarjet edhe në atë zonë.

Një total prej 133 kardinalësh nga e gjithë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine të Vatikanit të mërkurën për të nisur votimin për kreun e ri të 1.4 miliardë katolikëve të botës.