75 Mall Live Search
09:25 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / P M

Vazhdojnë mandatet, kryetarët që fituan sërish besimin e qytetarëve

Të dielën, mbi 1 milion e 300 mijë qytetarë iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët në 18 komuna të vendit.

Procesi zgjedhor solli vazhdimësi në disa komuna, ndërsa në të tjera u konfirmuan fitoret e pritura të kryetarëve aktualë.

Në kryeqytet, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës siguroi edhe një mandat katërvjeçar në krye të Prishtinës, duke e mposhtur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çekon.

Rama në rundin e dytë mori 46 mijë e 935 vota, apo 51.54% të totalit.

Në Pejë, LDK-ja ruajti pushtetin me Gazmend Muhaxherin, i cili fitoi bindshëm ndaj Taulant Kelmendit të LVV-së, duke marrë 61.15% të votave.

Mandate të reja siguruan gjithashtu edhe kandidatët e kësaj partie: Sokol Haliti në Viti, Behxhet Xheladini në Dragash, dhe Ruzhdi Shehu në Junik.

Në Prizren, Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës marshoi drejt një fitoreje të sigurt përballë Artan Abrashit të Vetëvendosjes, duke marrë 25 mijë e 326 vota dhe duke e siguruar mandatin e dytë në krye të komunës.

PDK-ja ruajti gjithashtu udhëheqjen në Vushtrri, ku Ferit Idrizi mposhti kandidatin e LVV-së, Sylejman Mehollin.

Ndryshime nuk pati as në Gjakovë. Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të vazhdojë ta udhëheqë komunën edhe për katër vitet e ardhshme, pasi fitoi ndaj Ardian Golës të LVV-së.

Në Suharekë, Bali Muharremaj i AAK-së konfirmoi mandatin e tij të dytë me 55.60% të votave, apo 11 mijë e 640 vota.

Edhe Zenun Elezaj në Klinë dhe Smajl Latifi në Rahovec do të vazhdojnë qeverisjen komunale në emër të AAK-së.

Në Gjilan, Alban Hyseni nga Vetëvendosja arriti ta sigurojë një fitore me mbi 22 mijë vota, duke mposhtur Arbër Ismajlin e LDK-së.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, disa kandidatë kishin siguruar tashmë fitore të qarta.

PDK-ja i kishte konfirmuar mandatet e Agim Aliut në Ferizaj, Mehmet Ballazhit në Han të Elezit, dhe Sami Lushtakut në Skenderaj.

Nga LDK-ja, fitore të hershme kishin arritur edhe Imri Ahmeti në Lipjan dhe Ilir Ferati në Istog.

Ndërsa Bashkim Ramosaj i AAK-së e siguroi pa dilemë mandatin e tij në Deçan.

Nga ana tjetër, Vetëvendosja mbajti pushtetin në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime, me kryetarët Shpejtim Bulliqi, Kadri Rahimaj dhe Qemajl Aliu.