Vazhdojnë përplasjet, Kusari-Lila për Zemajn: Nuk është i duhuri për MSh, s’merr erë as nga puna e juristit

Deputetja Mimoza Kusari-Lila kishte deklaruar se emërimi i Armend Zemajt në krye të Ministrisë së Shëndetësisë është qasje joserioze dhe ofendim i LDK-së për qytetarët e Kosovës.
Pas kësaj, Zemaj i është kundërpërgjigjur Kusari-Lilës duke ia kujtuar akuzën nga Prokuroria Speciale për rastin e “faljes së hidrocentraleve”, shkruan Indeksonline.
Por, Kusari-Lila nuk e la me kaq, e vazhdoi me reagimin e saj.
Ai thotë që Zemaj jo vetëm që nuk është i duhuri për Ministri të Shëndetësisë, por nuk merr erë as nga puna e juristit.
Tutje, ajo e thekson prapë se është gjynah për Kosovën kush synon tē drejtojë sektorin e shëndetësisë në kohë pandemie.
Reagimi i plotë i Kusari-Lilës:
Armend Zemaj paska reagu ndaj deklaratës time mbrëme ku kam
thënë se emërimi i tij në krye të ministrisë së shëndetësisë, si jurist me
profesion, në kohë pandemie, është ofendim për qytetarët e Republikës së
Kosovës. Në reagimin e tij, juristi paska shpërfaq që jo vetëm nuk është i
duhuri për Ministri të Shëndetësisë, por nuk merr erë as nga puna e juristit.
Ai paska vendos ta bëjë edhe Gjykatësin në rastin e procesit gjyqësor. Sipas z.
Zemaj, ngritja e aktakuzës qenka aktgjykim final. Pasi ka nevojë për informim, po ia rikujtoj:
Jo vetëm që unë jam e pafajshme, por edhe prezumimi i pafajësisë nënkupton se çdo person i dyshuar ose që akuzohet për një vepër konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës. Sikurse që mëdyshjet lidhur me një vepër nuk kanë asnjë peshë juridike për sa kohë nuk janë vërtetuar me aktgjykim përfundimtar dhe pas një procesi të drejtë gjyqësor.
Prapë po e ritheksoj, gjynah për Kosovën kush synon tē drejtojë sektorin e shëndetësisë në kohë pandemie.
Reagimi i Zemajt:
E akuzuara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari (aktakuzë pran Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special) për krim të organizuar për shitjen dhe privatizimin kriminal të katër hidrocentraleve, pasuri e qytetarëve të Kosovës, e paska quajtur ofendim për qytetarët e vendit, zgjedhjen e një juristi në krye të MSh-së. Tani çka quajmë ofendim: të qenurit jurist i njohur apo të lavdërohesh nga kaskaderët politik dhe të akuzuarit për krim, zhvatje e korrupsion? Qytetarë të vendit tim, edhe një motiv shtesë për mua që të punojmë me shumë në avancimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.