12:16 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Vazhdojnë protestat kundër punësimeve në “Trepçë”, pavarësisht anulimit të pjesshëm të konkursit

Dhjetëra qytetarë kanë vazhduar të protestonin edhe sot para hyrjes së objektit të menaxhmentit të “Trepçës” në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje, edhe pse tashmë është anuluar pjesërisht konkursi.

Protestuesit duke përmendur fakte të reja për parregullsitë gjatë procesit të fundit të pranimit të punëtorëve të rinj, kërkuan anulimin e plotë dhe jo të pjesshëm të këtij konkursi.

Arsim Musa, nga Këshilli organizativ protestues, ka bërë të ditur për KosovaPressin se konkursi nuk mjafton të korrigjohet vetëm pjesërisht, duke thënë se ai duhet të anulohet krejtësisht, si edhe të shkarkohet bordi i ndërmarrjes dhe menaxhmenti.

Sipas tij, kandidatët e pranuar në këtë konkurs kanë qenë raste tipike familjare dhe politike. Ai ka përmendur emra të zyrtarëve të lartë, për të cilët tha se kanë punësuar familjarët e tyre.

“Ne kemi kërkuar me ngulm dhe kërkojmë prapë që ky konkurs të anulohet komplet, jo pjesërisht. Ky konkurs duhet të anulohet komplet, ky bord të shkarkohet së bashku me menaxhmentin, e deri tek komisionarët të cilët kanë bërë këtë përzgjedhje tipike familjare dhe politike. […] Kemi dëshmi që njerëz të afërt me bordin janë punësuar me kontrata nga dy herë. Më 23 shtator i ka dalë kontrata, më 24 u hap konkursi, më 13 nëntor i ka 84 pikë në test dhe është punësuar në drejtorinë e ‘Trepçës’ në Prishtinë. […] Ka familjarë për shembull të Ferat Shalës, i ka punësuar dy veta, sekretari Afrim Haxhiu e ka punësuar vajzën e axhës, drejtori i bordit, Ardian Syla, e ka punësuar vajzën e tezës”, ka thënë Musa për KosovaPress.

Ai paralajmëroi se protesta t do të vazhdojnë edhe ditët në vijim, deri në plotësimin e plotë të kërkesave të tyre.

Protesta që zgjati një orë u zhvillua e qetë, ndërsa një numër shumë i vogël i pjesëtarëve të policisë në krahasim me protestat e kaluara, kanë vëzhguar situatën nga afër.

Ndryshe, menaxhmenti i “Trepçës” kishte anuluar dy ditë më parë pjesërisht konkursin, përkatësisht 38 pozita nga gjithsej 220 sa kanë qenë në këtë konkurs, pas protestave të vazhdueshme të të pakënaqurve të cilët nuk u pranuan në këtë ndërmarrje për shkak të parregullsive.