11:03 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

Vazhdojnë reduktimet e ashpra të ujit në Prishtinë

Ka dy ditë që Fushë-Kosova e disa lagje të Prishtinës po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.

Qytetarët të revoltuar me këtë gjendje edhe 20 vjet pas lufte, në vazhdimësi kanë dërguar ankesa për këtë gjendje në të cilën ndodhen.

Në lidhje me këtë situatë KRU “Prishtina”, ka njoftuar se  për shkak të situatës së krijuar së fundmi nga niveli i lartë i turbullirës në kanalin e Ibër Lepencit, prej të cilit merret uji i papërpunuar për t’u trajtuar pastaj për konsum ( ITUP Shkabaj / që si pasojë është jashtë funksionit), e kanë të pamundur trajtimin e ujit të pijëshëm konform standardeve dhe teknologjisë që posedojnë.

“Në mënyrë që të bëjmë shpërndarje të barabartë të ujit për të gjithë konsumatorët dhe që, fokusi i mosfurnizimit me ujë të mos jenë vetëm zonat që furnizohen nga ITUP-i Shkabaj, ju njoftojmë me orarin e reduktimeve për këto zona:

Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: Bregu i Diellit, banesat e bardha, Mati 1, Zllatari, Kolovica, Sofalia, Tasligjja, Ulpiana, Kodra e Trimave, Arbëria, lagjja e Spitalit, lagjja e Universitetit, konviktet, Hajvalia, Graçanica dhe Veterniku”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, duke filluar nga ora 12:00-16:00  reduktime uji do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, Dardania, Lakrishtja, lagjja Pejton dhe Kalabria.

Ndërsa, me reduktime nga ora 11:00-17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë.

E tërë kjo siç bëhet e ditur po realizohet për t’u mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit.

Deri në njoftimin e radhës, mbetemi me këto reduktime.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin!