75 Mall Live Search
00:22 / E Hënë, 30 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Vazhdojnë skandalet në zgjedhjet për anëtarët e KE’së, “hallakamë” edhe në Gjilan!

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht më 10 dhjetor për fillimin e zgjedhjeve nëpër Lidhjet Rajonale të Futbollit për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.

Pasi kanë përmbushur mandatet e tyre katër vjeçare, tani është koha për të votuar për anëtarët e ri të Komitetit Ekzekutiv nga Lidhjet Rajonale të Futbollit të Kosovës, shkruan GazetaBlic.

Deri më tani janë mbajtur zgjedhjet në dy rajone, në atë të Mitrovicës dhe atë të Pejës.

Megjithatë zgjedhjet nuk shkuan siç duhet në asnjërin rajon, pasi ka pasur parregullësi dhe shumë ankesa.

Pa zhurmë duket se nuk do të mbyllen votimet as në Gjilan, pasi një javë para zgjedhjeve (6 janar) në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Gjilan kanë startuar polemikat dhe parregullësitë e shumta.

Një “hallakamë” e madhe po ndodhë në LRFGJ, pasi delegatët po hasin në një problem të çuditshëm – atë të nënshkrimeve.

Deri në vitin e kaluar delegatët kanë mundur të japin nënshkrime për kandidatët e tyre të preferuar, ndërsa nga ky vit çuditërisht ata kanë të drejtën të japin veç një votë dhe kush dhuron më shumë se një, merr dënimin me votë të pavlefshme!

Anëtarët që synojnë të jenë në krye të Lidhjeve Rajonale të Futbollit mbledhin nënshkrime nga delegatët e klubeve, të cilat përdoren si “premtim” për votat e tyre kur mbahen zgjedhjet.

KE ka njoftuar se delegatët mund të japin veç nga një nënshkrim për të preferuarit e tyre.

Problemi i madh që qëndron në LRFGJ!

GazetaBlic mëson se në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit po punohet tash e një muaj nga anëtari aktual, Bekim Rexhepi, për të mbledhur nënshkrimet, gjë e cila nuk është në përputhje me rregullat e KE!

Rexhepi ka mbledhur nënshkrime tash e një muaj – ndërsa tani atij iu është shfaqur edhe një kundër-kandidat për atë pozitë në momentin që janë shpallur zgjedhjet.

Kundër-kandidati i Rexhepit do të jetë Naser Ajeti nga klubi i Gjilanit. Pas propozimit të Naser Ajetit, për t’u bërë kryetari i LRFGJ-së kanë lindur problemet e para, pasi rregulli i KE’së së FFK’së thotë se kandidati duhet të marrë veç një nënshkrim nga delegatët – gjë e cila ka ngjallur polemika të shumta, pasi ka delegatë që dëshiron të jap votën edhe për të tjerët, e të cilët nuk ishin propozuar kur Rexhepi ishte duke punuar në mbledhjen e nënshkrimeve.

Robelli zbulon gjithçka!

Sevdail Robelli, drejtor i klubit futbollistik, S.C Gjilani në një prononcim për ‘GazetaBlic‘ ka shpjeguar gjithçka sa i përket problemeve që po ka para zgjedhjeve në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Gjilan.

“Dje ka qenë mbledhja e bordit të LRFGJ’së dhe para tri ditëve në Komitetin Ekzekutiv në Federatë është marrë një vendim që nëse një delegat voton për dy individë me ia humb të drejtën e votës. Ne kemi reaguar në mënyrë të fuqishme të gjithë anëtarët dhe po mendoj që ne kemi marrë atë vendim që të anulojmë, sepse anëtari aktual i KE’së, Bekim Rexhepi ka mbledhur nënshkrime më së paku qe një muaj – derisa zyrtarisht nuk ishin hapur zgjedhjet”, tha fillimisht Robelli.

“Zgjedhjet dje janë hapur për anëtarin e regjionit tonë. Do të thotë se ai ka dalur dhe ka mbledhur nënshkrime (nuk e di sa, por disa po) dhe tani për t’i bërë presion delegatëve të njëjtë që mos të japin nënshkrime për të tjerët – KE ka marrë vendim në mënyrë krejt të kundërligjshme, kinse delegati që identifikohet që i ka dhënë nënshkrimet për dy kandidatë do t’i humb e drejta e votës.”

“Problemi është se nënshkrimet janë marrur pa u hap fushata. Kandidati i Gjilanit është Naser Ajeti. Ne menjëherë kemi dalur dje dhe sot kemi kontaktuar me klubet – nga momenti që është hapur (procesi zgjedhor), por ata e kanë pasur këtë shqetësim, pasi më herët kanë shkuar të tjerët dhe i kanë shqetësuar ata dhe anëtarët të tjerë të FFK’së nga pozita të ndryshme, por ne kemi arritur dje në mbledhje të bordit me eliminu këtë punën e nënshkrimeve – sepse për neve nënshkrimi nuk ka kurrfar vlere juridike. I vetmi kusht për një kandidat për me kandidu për KE është që të jetë i propozuari i një klubi. Në një rregullore të korrikut të vitit 2019, aty i vetmi kusht është që duhet të propozohesh nga një klub. Ne nuk jemi duke mbledh nënshkrime për kandidatin tonë, pasi ai nëse zgjedhet nuk do të jetë përfaqësues i Gjilanit në KE, por i Anamoravës. Ne kemi biseduar me miq dhe shokë nëpër klubet tjera, mirëpo s’e kemi praktiku mbledhjen e nënshkrimeve. Po besojë shumë që ne nuk do të bijmë në këtë grackë. Për mua vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FFK’së është totalisht skandaloz, vazhdoi Robelli.

“Kufizimi dhe kërcënimi që po i bëhet delegatëve që nëse zbulohesh që i ke dhënë dy nënshkrime – e humb të drejtën e votës për neve është skandaloz. Delegatët kur e kanë kuptuar që edhe Gjilani e ka kandidatin e vet, kanë dalur dhe kanë theksuar se do ta mbështesin kandidatin e Gjilanit, ndërsa jo atë të mëhershmin. Sikur të ishte kusht prej 19 delegatëve të futbollit të regjionit të Gjilanit që kandidati duhet t’i ketë pesë nënshkrime për me pas të drejtën me konkurru, atëherë jemi duke folur për diçka tjetër dhe atëherë do të kishte ardhur në shprehje ky vendim i KE’së. E gjithë kjo është njëfar presioni që po i bëhet delegatëve – për të cilët dyshohet se nuk kanë me i dhënë votat aty ku e kanë dhënë nënshkrimin”, përfundoi Robelli.