Vazhdon formati i njëjtë i takimeve në Bruksel, Lajçak takon Bislimin

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi në Bruksel.
Lajçak përmes një postimi në Tëitter ka thënë se gjithçka që do të bisedohet mes Kosovës dhe Serbisë është politike dhe asgjë teknike.
“E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është politike, asgjë s’është teknike”, ka shkruar Lajçak.
Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq ka deklaruar se në takimin e nesërm në Bruksel do të diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
Takime të këtij formati ishin zhvilluar edhe në qeveritë e kaluara. Këto takime shërbëjnë si përgatitje për takime të nivelit të lartë të dy vendeve.
Kosovën në këso takime në qeverinë e kaluar e ka prezantuar ish koordinatori për dialog, Skender Hyseni./Indeksonline/