Vazhdon gara e kandidatëve të LDK’së për ulësen e 15-të në Kuvend
Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po i afrohet fundi. Në faqen e KQZ-së tashmë janë proceduar afër 95 % e kutive të votimit dhe në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës vazhdon gara mes kandidatëve për mandatin e 15.
Ky vend në listë aktualisht mbahet nga kandidati për deputet, Ermal Sadiku, i cili ka 14 mijë e 813 vota.
Sadiku është duke u ndjekur nga pas nga Arben Gashi i cili deri tani ka marrë 14 mijë e 280 vota, apo 533 vota më pak.

Në këtë rezultat, s’janë të përfshira votat e diasporës të cilat janë duke u numëruar, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçantë.
Lidhja Demokratike e Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka pësuar një rënie të ndjeshme dhe në Kuvendin e Kosovës pritet t’i ketë 15 ulëse.

