Vazhdon kriza në degën e Vetëvendosjes në Klinë, vjen edhe një dorëheqje

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë po përballet me një sërë dorëheqje nga anëtarët e kësaj partie.
Përmes një postimi në facebook, Alketa Mehmetaj, ka bërë të ditur se pas 4 vitesh në Asamblenë Komunale në Klinë ka dhënë dorëheqje.
Mehmetaj, ka kërkuar që emri i saj të tërhiqet nga lista brenda 24 orëve të ardhshme.
“Unë, Alketa Mehmetaj, jam pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje prej 5 vitesh. Para 4 viteve kur mbusha 18 vite, kam pasur nderin të jem kandidate për Asamblenë Komunale në Klinë, ku fitova më shumë vota se shumë kandidate të tjera, të cilat sot janë vendosur në pozitat e para të listës pa e merituar përmes votës së qytetarëve.
Si dy aktiviste ne ramë dakord që do ta respektonim rezultatin , dhe do vazhdonim të punonim në të mirë të Lëvizjes dhe Komunes së Klinës edhe në vitet në vazhdim. Më datën 11.08.2025, me shumicë votash nga Kryesia, u vendosa unë si numri 1 në listë.
Megjithatë, në kundërshtim me këtë vendim, dhe jashtë çdo procedure statutore, pa dijeninë e Kryesisë apo të kandidatëve, Kryetarja e Qendrës, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore në Prishtinë, ka hartuar një listë tjetër kandidatësh, ku në vendin e parë ka vendosur veten (Teuta Mulaj), ndërsa numrat tjerë janë caktuar sipas dëshirës së vete Kryetares së Qendres, pa u votuar e pa u diskutuar me Kryesin. Ky veprim bie ndesh me parimet dhe statutin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Për këtë arsye, duke mbetur aktiviste dhe përkrahëse e Lëvizjes Vetëvendosje, sot paraqes dorëheqjen time nga kandidatura për Asamblenë Komunale në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, dhe kërkoj që emri im të tërhiqet nga lista brenda 24 orëve të ardhshme”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se edhe kryetari i degës në Klinë, Lulëzim Dragidella, ka dhënë dorëheqje me 14 gusht të këtij viti./IndeksOnline/