16:02 / E Martë, 28 Janar 2020 / indeksADMonline

Vazhdon përkrahja e misionit të OSBE-së për IPK-në

Kryeshefja e IPK-së me bashkëpunëtorë priti sot në takim në objektin e IPK-së Drejtorin e Departamentit për Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë z. Edward Anderson.

Gjatë takimit ku IPK-së ju dorëzua Plani Zhvillimor Strategjik u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe përkrahjes së IPK-së nga misioni i OSBE-së.

Kryeshefja e IPK-së znj. Miradije Kelmendi në fjalën e saj të rastit para të pranishmëve falënderoi për përkrahjen që misioni i OSBE-së është duke dhënë në vazhdimësi për Inspektoratin Policor duke numëruar disa nga fushat ku IPK është përkrahur vitin e kaluar si: dhoma e dëshmive, trajnime të specializuara mbi luftimin e korrupsionit dhe fuqizimin e integritetit në radhët e policisë, vizita studimore, punëtori për përgatitjen dhe rishikimin e Planit Strategjik të IPK-së etj.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike – z. Edward Anderson shprehu gatishmërinë e Misionit të OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme në trajnime të specializuara për zyrtarët e IPK-së që do të ndikojnë në fuqizimin e kapaciteteve të IPK-së në ushtrimin efektiv të rolit mbikëqyrës ndaj policisë.