11:21 / E Martë, 26 Maj 2020 / indeksADMonline

Vazhdon përplasja për serialin ‘Çka ka shpija’, Naser Rafuna i përgjigjet këshilltarit të Albin Kurtit

Naser Rafuna i është përgjigjur Luan Dalipit, këshilltarit të Kryeministrit në detyrë, pasi që ky i fundit kritikojë serialin ‘Çka ka shpija’, që transmetohet në RTK.

Aktori dhe skenaristi i  serialit ka komentuar deklaratat që ka bërë Dalipi përmes një statusi në Facebook , duke kërkuar nga i njëjti të mos e kritikojë artin.

“I nderuar, unë jam Naser Rafuna dhe luaj ne këtë serial. Rastësisht pak me pare me lajmëruan për statusin tuaj dhe tash edhe e morra vesh se kush je, ngase çështjet politike e aq me pak pozitat politike, si aktor me interesojnë vetëm ne pikat “tallëse -humoristike” e dimë qe e bëjmë mire, prandaj te sugjeroj: mos u bo personazh”, ka shkruar aktori i njohur.

Rafuna ka thënë se për serialin që bëhet në formë kritikuese e me sarkasëm nuk kanë pasur deri më tani reagim nga askush.

Tutje Rafuna shkruan “Nëse ke problem me vet televizionin dhe pretkest ke gjetë serialin apo emisionin më të shikuar të tij kjo është diçka tjetër e i kuptojmë, po ta them na e shtove motivin për punë prandaj shfrytëzo vërtetë pozitën që ke për motiv të mbajtësve të kulturës, sepse para se me lind ti e unë, njerëzit e kësaj kulture që paske filluar me i bë “roje” kanë qenë në Cannes e Oscars me filmat e tyre si Bekim Fehmiu”.

Për kritikën e Dalipit ndaj serialit ka reaguar edhe ish-drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, duke i thënë se secili injorant idiot nuk mund të tregojë se çka është edukuese për transmetim dhe çka nuk është.

“Nje episode i arrin afer 4 milione shikime! A eshte edukuese a jo, jane matjet e opininonit pubik që tregojnë, e jo secili injorant idiot që del e shet mend cka është edukuese e çka jo! Nëse fëmijët tuaj e pëlqejnë shumë, e prindërit jo, problemi është te prindërit e jo te fëmijët! Fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja, e prindërit janë e kaluara prezente, fatkeqësisht! Komedia sa e di unë e ka për qëllim me u tall (përqesh) me realitetin, o insan! Çdo sulm ndaj veprave artistike është sulm ndaj demokarcisë, apo jo?!!!”, ka shkruar ish-drejtori i RTK-së, në një status në Facebook./Indeksonline/