Vazhdon seanca e Kuvendit, diskutohet për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës
Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet e seancës plenare. Në sallë nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për votim, por po vazhdon debati parlamentar për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës, me kërkesë të deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur nga tetë deputetë.
Deputetja Teuta Haxhiu ka propozuar një rezolutë për pensionistët kontributdhënës, për të cilën tha se pret që në fund të debatit bashkërisht të harmonizohen pikat e parapara në rezolutë.
“Të ndryshohet paragrafi 2,3 i nenit 6 të udhëzimit administrativ 9/2015, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, nga 15 në 10 vjet. Të njoftohen të gjithë pensionistët të cilët nuk i plotësojnë kushtet me udhëzimin e mëparshëm për shkak të paragrafit 2,3, nenit 6, dhe të obligohet Qeveria e Kosovës t’i jap pensionin kontributdhënës të gjithëve që kanë punuar 10 apo më shumë vite. Megjithatë është shumë më mirë që fare mos të kenë periudhë kohore, të gjithë ata që kanë punuar të marrin pensione për aq sa kanë punuar”, tha ajo.
Haxhiu tha se pensionistët janë në pritje të ndryshimit të këtij udhëzimi administrativ.