Vazhdon sot numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra komunale të numërimit.
Gjatë ditës së djeshme, KQZ-ja ka bërë të ditur se sipas të dhënave të fundit, deri më 16 shkurt janë numëruar 73.23% e vendvotimeve, ose gjithsej 1,855 nga 2,533, në kuadër të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa ka theksuar se numërimi ka përfunduar në 19 qendrat komunale të numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
KQZ-ja thotë se vazhdon të sigurojë transparencë dhe korrektësi gjatë procesit të numërimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti.