75 Mall Live Search
12:38 / E Enjte, 07 Nëntor 2024 / MSH

Vdekja e 21-vjeçarit nga aksidenti në Pestovë, ministria thotë se rrethrrotullimi “nuk i ka fajet”

Një aksident trafiku përfundoi me fatalitet mbrëmë.

Në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, më saktësisht në Pestovë, një 21-vjeçar humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me anësoret e rrugës, shkruan IndeksOnline.

I riu nga Vushtrria pësoi plagë të rënda, të cilave fatkeqësisht nuk iu mbijetoi, shkruan IndeksOnline.

“Më 06.11.2024, rreth orës 22:00, policia në Mitrovicë ka pranuar informatën se në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë ka ndodhur një aksident me lëndime të rënda në të cilin ishte përfshirë një automjet me targa vendore.

Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, mirëpo rreth orës 00:40 të 07.11.2024 policia është njoftuar nga Emergjenca e QKUK-së, se si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, personi i lënduar i moshës 21-vjeçare ka humbur jetën”, deklaroi policia.

Lidhur me pretendimet se “faji” qëndron të ndërtimi “i paparalajmëruar” i rrethrrotullimit në Pestovë, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë se ato punime ishin pjesë të projektit.

Për IndeksOnline, Durmishi deklaroi se ndërtimi i atij rrethrrotullimi ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme dhe është bërë edhe me kërkesë të banorëve lokalë.

“Nuk ka qenë devijim i momenteve të fundit. Ka kluar krejt procedurat e nevojshme. Prej kërkesave të banorëve, me peticion, protesta ka pasur… Komisioni profesional e ka aprovuar dhe ka hyrë në kuadër të projektit”, deklaroi midis tjerash Durmishi.

Për më shumë ndiqni videon e plotë: