Vdekja e 7-vjeçares në aksident trafiku afër Drenasit, policia jep detaje rreth tragjedisë

Pasditen e së dielës, më 31 gusht, në rrugën Komoran–Drenas, në fshatin Zabel i Ulët, ka ndodhur një vetaksident trafiku me pasoja tragjike, transmeton IndeksOnline.
Një veturë e tipit “Audi”, me targa vendore, ka dalë nga rruga dhe është vetaksidentuar. Për pasojë, një vajzë 7-vjeçare nga fshati Cerovik i Klinës ka humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë, tri femra dhe një mashkull, kanë pësuar lëndime trupore.
Policia e Kosovës ka njoftuar se të lënduarit janë dërguar në QKUK, ku po marrin trajtim mjekësor. Ndërkaq, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i vajzës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Më 31.08.2025, rreth orës 17:08, një veturë të cilën e drejtonte një femër kosovare ka dalë nga rruga dhe është vetaksidentuar. Si pasojë e aksidentit, një vajzë ka humbur jetën, ndërsa lëndime trupore kanë pësuar tri femra dhe një mashkull. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë./IndeksOnline/