Vdekja e Agon Zejnullahut, Bajrami: Të zhvillohet hetimi pa vonesë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrmai, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.
Ajo ka thënë se është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa vonesë.
Zejnuallahu vdiq pasi paraprakisht ishte në duart e Policisë së Kosovës.
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu dhe për gjithë qytetarët e Kosovës për vdekjen e Agonit! Prokuroria dhe Inspektorati Policor duhet ta hetojnë plotësisht këtë rast – të gjitha rrethanat dhe pistat e mundshme, dhe të ndriçojnë deri në detaje rastin e vdekjes së 27-vjeçarit. Është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa asnjë vonesë”.
“Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, duhet të garantojnë zbatimin e standardeve profesionale dhe respektimin e ligjit në çdo rast të ndalimit apo trajtimit të qytetarëve. Përveç përgjegjësisë individuale, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike, deri te deputeti Kurti, i cili vazhdon të mbajë pozitën e kryeministrit në kundërshtim me ligjin. Ne kemi përkrahur dhe do të përkrahim kërkesat e ligjshme të Policisë së Kosovës për kushte më të mira pune dhe mbështetje institucionale, por njëkohësisht do të kërkojmë llogari dhe zbatim të ligjit”, ka shkruar Bajrami.