75 Mall Live Search
07:44 / E Martë, 08 Korrik 2025 / Z S

Vdekja e të riut nga Lipjani: Çfarë dihet deri tani

Një ngjarje tragjike ndodhi në orët e para të së hënës në Lipjan, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu humbi jetën në rrethana të dyshimta pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.

Sipas informacioneve zyrtare, policia kishte reaguar rreth orës 00:15, pas një njoftimi se një person, i dyshuar se ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte kalimtarë dhe automjete në rrugën “Haradin Bajrami”.

Njësitet policore e kanë vënë situatën nën kontroll dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente, por me gjithë përpjekjet, mjekët kanë konstatuar se i riu kishte ndërruar jetë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe prokurori për krime të rënda.  Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të prokurorit të shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Agon Borovci, zëdhënës i rajonit të Prishtinës.

Menjëherë pas ngjarjes, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë nisur hetimet me dyshimet për keqtrajtim apo tejkalim të kompetencave gjatë ndërhyrjes policore.

Mbrëmjen e djeshme, pesë zyrtarë policorë, u arrestuan nën dyshimin për veprën penale: “Vrasje nga pakujdesia”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. IPK-ja konfirmoi se këta zyrtarë ishin suspenduar paraprakisht me rekomandim të tyre.

“Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë)”, thuhet në njoftim.

Hetimet pritet të zgjerojnë edhe më tej, përfshirë analizën e pamjeve filmike, dëshmive të dëshmitarëve, si edhe rezultatet nga ekzaminimet mjekoligjore.

Prokurori për krime të rënda, së bashku me ekipin hetimor, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në vendngjarje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.