75 Mall Live Search
10:20 / E Hënë, 01 Shtator 2025 / H F

Vdekja tragjike e Visar Muriqit/ Aktakuza sfidohet në Apel, përgjigjja vonohet për shkak të pushimeve

Në rastin e vdekjes tragjike të Visar Muriqit, i cili humbi jetën në një shpërthim në pikën e karburantit “Delta Group” në Pejë, mbrojtja e të pandehurit Vesel Jusaj ka kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës, por kjo kërkesë është refuzuar nga Gjykata Themelore në Pejë, transmeton IndeksOnline.

Më 7 korrik 2025, mbrojtja ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit për kundërshtimin e vendimit që lejon vazhdimin e procedurës gjyqësore, por deri më tani Apeli nuk ka marrë vendim për këtë ankesë, duke qenë se rasti nuk është cilësuar si urgjent dhe gjykata ndodhet në periudhë pushimesh.

Ngjarja tragjike ka ndodhur më 11 tetor 2024, kur 45-vjeçari Muriqi humbi jetën nga shpërthimi në “Delta Group” Sh.P.K. Pronari i kompanisë, Vesel Jusaj, përballet me akuza penale dhe ka mohuar fajësinë. Hetimet ndaj tij vazhdojnë.

I ndjeri, më 11 tetor të vitit të kaluar ishte kontaktuar nga një bashkëvendës që në një pompë derivatesh, të bënte shndërrimin e bombolës së gazit në mënyrë që e njëjta të përdorej për derivate të tjera.

Pa e ditur se ajo do të jetë dita e fundit e jetës së tij, Visari e pranoi këtu punë për hiç më shumë se 30 euro.

Familjarët e Visarit presin që gjykata të japë denimin e merituar lidhur me këtë rast./IndeksOnline/