75 Mall Live Search
10:17 / E Diele, 15 Maj 2022 / MSH

Vdes Drejtori i Operimit të Tregut në KOSTT, vuante nga një sëmundje e rëndë

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu, KOSTT, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të ekspertit të energjisë, njëherazit drejtorit të Operimit të Tregut, Skender Gjonbalajt.

Sipas KOSTT, Gjonbalaj ndërroi jetë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

KOSTT ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Gjonbalajt, duke thënë se ai ishte një nga akterët kyç në pavarësimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia.

“KOSTT dhe sektori i energjisë mbeti pa një profesionist të nivelit më të lartë, pa një njeri të virtyteve të çmuara e familja dhe kolegët mbetën pa një njeri të dashur. Lamtumirë Skendë, përherë do të mbetesh në kujtimet tona!” thuhet ndër të tjersh në telegramin e KOSTT.

Ky është shkrimi i plotë:

Me dhimbje e pikëllim të thellë njoftojmë që pas një sëmundje të rëndë sot u nda nga jeta kolegu ynë i dashur, eksperti i çmuar i sektorit të energjisë, Skender Gjonbalaj-Drejtor i Operimit të Tregut në KOSTT.

Skender Gjonbalaj, profesionist i parimeve të larta, i përkushtuar e këmbëngulës në avansimin e KOSTT në mekanizmat ndërkombëtar, ishte një nga njerëzit kyç në arritjen e pavarësimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia.

Skender Gjonbalaj ishte gjithashtu anëtarë Bordi në institucionin ndërkombëtar Coordinated Auction Office in South East Europe-SEE CAO si dhe në Bursën Shqiptare të Energjisë ALPEX.

KOSTT dhe sektori i energjisë mbeti pa një profesionist të nivelit më të lartë, pa një njeri të virtyteve të çmuara e familja dhe kolegët mbetën pa një njeri të dashur. Lamtumirë Skendë, përherë do të mbetesh në kujtimet tona!