75 Mall Live Search
09:56 / E Shtunë, 09 Mars 2019 / indeksADMonline

Vdes foshnja e gruas që kishte kërkuar kthimin në Britani nga Siria

Sekretari britanik Sajid Javid, po përballet me kritika pas vdekjes së foshnjës së Shamima Begum në një kamp në Siri. Begum kishte ikur nga Londra për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në moshën 15 vjeçare. Ministri Javid ka anuluar nënshtetësinë e saj britanike kur ajo ka kërkuar të rikthehet në Britani.

Familjarët thanë se Britania ka dështuar ta mbrojë foshnjën ndërsa Partia Laburiste tha se vdekja e foshnjës është rezultat i vendimit johuman të sekretarit.

Një zëdhënës i Qeverisë britanike tha se vdekja e çdo fëmije është tragjike dhe shtoi se Qeveria në vazhdimësi ka këshilluar kundër udhëtimit në Siri dhe do të vazhdojë të mundohet të parandalojë udhëtimin drejt Sirisë.

Begum, që kishte ikur në Siri në vitin 2015 me dy shoqet e saj, ishte gjetur nga një gazetare e Times në një kamp të refugjatëve në shkurt.

Ajo kishte deklaruar se ka jetuar me burrin e saj holandez, pjesëtar i IS-it, dhe ka humbur dy fëmijë për shkak të kushteve të rënda.

Pas lindjes së foshnjës së tretë, Jarrah, ajo kishte thënë për BBC se dëshiron të kthehet dhe ta rrisë e qetë foshnjën në Britani.

Foshnja të enjten ndërroi jetë nga pneumonia, sipas një certificate mjekësore. Ai kishte vetëm tre javë jetë.