75 Mall Live Search
21:58 / E Diele, 28 Prill 2019 / indeksADMonline

Vdes ish-senatori amerikan, liderët kosovarë e kujtojnë si mik të madh të Kosovës

Në moshën 87- vjeçare ka vdekur ish-senatori amerikan nga radhët e republikanëve, Richard Lugar.

Organizata e tij jofitimprurëse Qendra Lugar, tha se ai vdiq nga komplikimet nga polineuropatia kronike inflamatore, një sëmundje që sulmon nervat.

Vdekja e Lugar ka pikëlluar edhe liderët kosovarë, presidentit Hashim THaci e kryeministrin Ramuhs Haradinaj.

Që të dy nga Berlini, përmes Facebook kanë ngushëlluar popullin amerikan për vdekjen e senatorit Lugar.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e ish-senatorit amerikan, Richard Lugar, mikut të madh të Kosovës. Ai bëri shumë për Kosovën, në ditët më të vështira për popullin tonë. Ishte një prej zërave më të mëdhenj pro intervenimit të NATO-s dhe një mbështetës i pavarësisë sonë. Do ta ruajmë përjetësisht kujtimin për të”, ka shkruar Thaçi.

Edhe kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë veprimtarinë e Lugar.

“Kosova sot ka humbur një nga miqtë e saj të shquar, ish-Senatorin amerikan nga Partia Republikane Richard Lugar, mbështetësin e madh të pavarësisë sonë. Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë përfaqësuesit të shtetit Indiana në Senat, Lugar, i cili së bashku me John McCain përkrahu Presidentin Bill Clinton për intervenim kundër Serbisë, për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë”.

Richard Lugar shërbeu në Senat nga 1977-2013 dhe ishte i njohur mirë si një zë autoritar për politikën e jashtme të SHBA.

Duke shërbyer si kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dy herë – nga 1985-1987 dhe 2003-2007 – ai ishte një kundërshtar i hapur i aparteidit në Afrikën e Jugut dhe armëve bërthamore.

Ai krijoi legjislacionin për shkatërrimin e armëve bërthamore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, i njohur si Programi i Reduktimit të Kërcënimeve të Bashkëpunimit ose Akti Nunn-Lugar.

Lugar bashkë me John McCainin, ishte në pakicën republikane që përkrahu ish-presidentin Bill Clinton në intervenimin e NATO-s kundër Serbisë.

Lugar nisi një përpjekje për të siguruar emërimin e presidentit republikan për zgjedhjet e vitit 1996, por njoftimi i tij për të kandiduar erdhi në të njëjtën ditë kur ndodhën sulmet me bomba në Oklahoma – një nga sulmet më vdekjeprurëse terroriste në historinë e SHBA-së.

Ai hoqi dorë në mars të vitit 1996 dhe mbështeti kandidatin e atëhershëm republikan Bob Dole.

Lugar ishte një politikan shumë i respektuar dhe u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2013. /Indeksonline/