75 Mall Live Search
13:49 / E Hënë, 25 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Vdes krijuesi i filmave më të dashur vizatimor

Animatori Bob Givens, i njohur më së shumti për realizmin e “Bugs Bunny”, ka vdekur në moshë 99 vjeçare.

Konfirmimin për vdekjen e ka bërë vajza e tij, Mariana Givens, përmes një postimi në Facebook, shkruan Telegrafi.

Ai kishte një karrierë të gjatë 60 vjeçare dhe ka punuar si animator për kompanitë e mëdha, si Disney, Warner Bros dhe Hanna-Barbera.

Po ashtu, Givens ka vizatuar animacione të karaktereve, si Tom & Jerry, Daffy Duck, “Alvin and the Chipmunks” dhe Popeye.

Roli i parë i tij ishte te Disney në vitin 1937, kur punonte në realizimin e animacioneve Donald Duck dhe Snow White.

Në vitin 1940, ai iu bashkua kompanisë Warner Bros, ku u bë i famshëm për punën në karakterin e Bugs Bunny.Pikërisht me këtë karakter, emri i tij u bë i njohur në industrinë e animacioneve filmike.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Givens kreu shërbimin ushtarak, ndërsa më pas iu kthye sërish animacionit dhe pati një karrierë prej gjashtë dekadash.