75 Mall Live Search
11:40 / E Diele, 05 Tetor 2025 / Burim

Vdes nëna dhe foshnja e saj, shiu i dendur shkaktoi aksident fatal në A3 të Gjermanisë

Një nënë dhe foshnja e saj kanë humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në autostradën A3, midis Velburg dhe Parsberg.

Shiu i fortë dhe kushte të vështira të motit i dhanë fund përpjekjeve të familjes për të mbajtur kontrollin mbi makinën, e cila siç shihet edhe në fotografi, përfundoi në një gropë.

”Në fillim, situata ishte shumë e paqartë, ndaj u aktivizuan menjëherë shumë forca emergjente”, tha Hannes Raithel, folës i Shoqatës së Kryqit të Kuq të Qarkut Neumarkt.

Kur mjeku i parë arriti, makina ishte e përmbysur dhe brenda saj ndodheshin dy fëmijë dhe prindërit.

Njësit policie që udhëtonin në drejtim të kundërt ndaluan për të ofruar ndihmën e parë ku së bashku me disa ndihmës të parë, mundësuan reanimimin, por për nënën dhe foshnjën çdo përpjekje ishte e kotë.

Babai 30-vjeç dhe fëmija tjetër trevjeçar mbijetuan, megjithatë janë plagosur dhe janë dërguar për trajtim në spital.

”Ata janë në gjendje stabile dhe janë nën kujdesin mjekësor”, citon gjermanja Bild, Jörg Zitzelsbeger, drejtues i stacionit të policisë për autostradë në Parsberg.

Shkaku i aksidentit është ende nën hetim, por autoritetet dyshojnë se fenomeni i aquaplaning-ut, ku gomat humbasin kontaktin me rrugën për shkak të ujit të grumbulluar, mund të ketë kontribuar në përplasjen.

Aksidenti raportohet se ndodhi pasditen e së shtunës, derisa shiu i dendur vështirësoi gjithashtu operacionet e shpëtimit.

”Këto kushte janë gjithmonë sfiduese për zjarrfikësit”, tha Jürgen Kohl, kreu i shërbimit të zjarrfikësve në Qarkun Neumarkt.

Autostrada A3 drejt Passau mbeti e mbyllur për disa orë, ndërsa policia e Trafikut të Parsberg vazhdon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.