18:18 / E Enjte, 08 Dhjetor 2022 / Gj. Sh

​Vdes portieri i njohur shqiptar

Është ndarë nga jeta në moshën 65 vjeçare legjenda e portës së Elbasanit, Bujar Gogunja.

Ish-gardiani shqiptar vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ditën e sotme humbi betejën me jetën.

Për vdekjen e Gogunjas, ka reaguar edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka.

Postimi i plotë i të parit të FSHF-së në “Facebook”:

Të dashur miq të familjes sonë të madhe të futbollit,

Pak minuta më parë mora lajmin e trishtë se miku im i mirë Bujar Gogunjaportieri i madh i Elbasanit të viteve ‘80-të, njeriu i mençur e fjalëpak, u nda nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë.

Ish-portieri i Labinotit kampion të sezonit 1983-1984 ishte pjesë e atij brezi të artë të futbollit elbasanas që sollën emocione të mëdha në gjithë futbollin shqiptar. Bujari, ishte një ikonë e portës dhe do të kujtohet gjithmonë për rekordin e tij prej 1037 minutash pa pësuar gol. Ai mbeti një frymëzim për brezat e rinj dhe kontribuoi për qytetin e tij edhe si trajner portierësh te Elbasani kampion i sezonit 2005-2006.

Në këtë moment të vështirë për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet e mija më të ndjera për humbjen e njeriut të tyre më të dashur.

Kujtimet që na ka lënë, do të jenë gjithmonë të paharruara.

Prehu në paqe Bujar, do na mungosh të gjithëve.