75 Mall Live Search
14:00 / E Hënë, 06 Tetor 2025 / AR

Vdes shkrimtarja e njohur britanike

Shkrimtarja e famshme britanike Dame Jilly Cooper ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare pas një rrëzimi, konfirmuan familja dhe botuesi i saj.

Cooper, e njohur për romanet e saj sensuale që përshkruanin jetën dhe skandalet e klasës së pasur rurale, ka shitur mbi 11 milion kopje të veprave të saj vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Fëmijët e saj, Felix dhe Emily, thanë: “Nëna jonë ishte drita e shndritshme në jetët tona. Dashuria e saj për familjen dhe miqtë nuk kishte kufij. Humbja e saj është një shok i madh. Jemi shumë krenarë për gjithçka që arriti dhe nuk mund ta imagjinojmë jetën pa buzëqeshjen dhe të qeshurat e saj të çiltër.”

Jilly Cooper, e njohur si “Mbretëresha e bonkbuster-ave”, publikoi librin e saj të parë How To Stay Married në vitin 1969, të ndjekur nga How to Survive From Nine To Five një vit më vonë. Romani i saj më i famshëm mbetet Riders (1985), i pari i serisë së njohur Rutshire Chronicles, që përfshin dhjetë vepra.

Aktori Rufus Jones, i cili luan në serialin televiziv Rivals, bazuar në librin e saj, i bëri homazh Cooper në Instagram: “Jilly ishte një grua e jashtëzakonshme. Hilarante, e çuditshme dhe e mirë. Ne patëm fatin ta takonim dhe të mësojmë nga tregimet e saj të paharrueshme.”

Agjentja e saj, Felicity Blunt, e përshkroi bashkëpunimin me Cooper si një privilegj: “Ajo ka përcaktuar kulturën, shkrimin dhe bisedën që kur u publikua mbi pesëdhjetë vjet më parë. Do të mbahet mend për serinë e saj Rutshire Chronicles dhe personazhin Rupert Campbell-Black, por mbi të gjitha për mënyrën se si shkroi për klasën, dashurinë, rivalitetin dhe humorin e mprehtë.”

Jilly Cooper ka pasur një karrierë të gjatë dhe të larmishme, duke filluar si gazetare në vitet 1957-1959 dhe duke u bërë më vonë kolumniste për temat e martesës, seksit dhe jetës së përditshme, për të kaluar më pas në librat e saj të suksesshëm.

Ajo punoi gjithashtu si producent ekzekutiv për adaptimin e librit të saj Rivals për Disney+, duke dhënë kontributin e saj në skenar dhe regjizim.

Jilly Cooper do të mbahet mend si një shkrimtare energjike, me humor dhe me një aftësi të jashtëzakonshme për të sjellë gëzim tek lexuesit dhe të gjithë ata që punuan me të.