Vdiqën duke larguar minat, harrohen dy ushtarët britanez
Raporti: Valdrin KRASNIQI/ Pamjet: Blerim UKA
Gareth Evans dhe Balaram Rai, janë dy ushtarët e parë të NATO-s që humbën jetën në Kosovë. Ata erdhën nga Britania e Madhe për të shërbyer në vendin e sapo dalë nga lufta.
Teksa po pastronin terrenin nga minat e mbetura prej luftës, një nga to shpërtheu për t’ua marr jetën atyre dhe tre personave të tjerë të zonës, ushtarë të UÇK-së, Osman Krasniqi, Sami Gashi dhe Milazim Gashi. Pikërisht sot, e premte (21 qershor), u bënë 20 vjet që kur Lejtnant Evans dhe Rreshteri Rai vdiqën në Arllat të Drenasit.
Në vendin ku humbën jetën dy ushtarët, nga kolegët e tyre britanez është vendosur një pllakë e vogël përkujtimore për t’i nderuar ata që shpëtuan qindra jetë të tjera.
Por aty në fshat nuk ka ndonjë një rrugicë që mban emrin e atyre dy burrave të uniformuar që vdiqën në kryerje të detyrës, në misionin e tyre për të sjell paqe dhe siguri për qytetarët që i shpëtuan luftës.
Jo vetëm në Arllat por askund në Kosovë nuk ka një rrugë me emrin e këtyre dy ushtarëve që vdiqen sapo hynë në Kosovë pas largimit të ushtrisë serbe.

Ekipi i Indeksonline ka qëndruar në Arllat të Drenasit për të marr rrëfimet e banorëve për këtë ngjarje tragjike të ndodhur 20 vjet më parë.
Ibër Gashi, që është vëllai i Milazim Gashit ka treguar për Indeksonline ngjarjen e ndodhur. Ai thotë se ishte data 21 qershor e vitit 1999, ora 16:00 kur shpërtheu mina e cila la të vdekur pesë persona, dy ushtarë të KFOR-it dhe tre shqiptarë, në mesin e tyre edhe vëllain e tij Milazimin.
“Unë kam qenë disa metra larg vendit ku ka ndodhur shpërthimi. Ishte kohë me shi dhe banorët e fshatit pas kthimit nga lufta i kanë mbledhur vet minat (kaset-bombat) dhe i kanë vendosur skaj rrugës. Pastaj i kanë thirr KFOR-in për t’i shpërthyer në mënyrë të kontrolluar. Banorët iu kanë lutur ushtarëve që minat ti shpërthejnë më larg pasi që mund të dëmtoheshin sërish shtëpitë dhe shkolla. Duke i larguar minat nga vendi, njëri nga pjesëtarët e KFOR-it ka rrëshqitur në një kanal dhe menjëherë kanë eksploduar minat”, ka rrëfyer rastin për Indeksonline, Ibër Gashi.

Ai ka thënë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që vet me sytë e tij ka parë një këmbë njeriu disa metra larg nga vendi i shpërthimit.
“Ishte kohë e vështirë. Ne e morëm vëllain Milazimin për ta dërguar në spital, mirëpo ai vdiq rrugës në Komoran”, ka thënë Gashi, duke shtuar se në Komoran sapo ishte vendosur edhe baza e KFOR-it.
Familja e Milazimit tani jeton në Prizren ndërsa shtëpia e tij edhe sot është e shkatërruar tërësisht.

Edhe një banor tjetër nga fshati Arllat thotë se e kishte dëgjuar shpërthimin e ndodhur pas luftës.
“U kthyem nga lufta dhe në kohën kur menduam se gjithçka kishte përfunduar ndodhi tragjedia. Në atë kohë nuk kishte mjete të informimit dhe nuk dinim saktësisht se çfarë ka ndodhur sepse zona menjëherë u rrethua nga KFOR-i. E kam dëgjuar krismën e bombës dhe më vonë kam kuptuar se dy ushtar të KFOR-it, dhe tre shqiptar kishin vdekur”, tregon i moshuari nga Arllati.
Në pllakën përkujtimore të vendosur në Arllat shkruan: Memoriali është vendosur nga oficerët dhe pjesëtarët e Regjimentit 36 të inxhinierëve në përkujtim të LT Gareth Evans dhe SSGT Balaran Rai të cilët humbën jetën tragjikisht këtu gjatë operacionit “Agricola 1” me 21 qershor 1999, bashkë me Osman Krasniqi, Sami Gashi dhe Milazim Gashin (UÇK).


Lejtnant Evans, 25-vjeç, nga Bristol dhe rreshteri Rai, 35 vjeç, nga Katmandu, Nepali, që shërbenin nën flamurin britanik, ishin duke u përgatitur për të kryer një shpërthim të kontrolluar kur banorët e Arllatit kërkuan nga ata të largonin minat larg shkollës që sot mban emrin e një dëshmori të luftës “Abedin Bujupi”, për të shmangur dëmtimin e saj.

Lejtnant Evans dhe Rreshter Rai i morën minat në një fushë dhe i lidhën ata së bashku kur një nga pajisjet u shpërthye. Të dy ushtarët e KFOR-it u vranë menjëherë bashkë me tre shqiptarë.
Ata ishin viktimat e para britanike të luftës në Kosovë ndërsa sot janë gjithsej 14 ushtarë të KFOR-it britanik që kanë vdekur në tokë të huaj, në Kosovë.
Derisa Evans nuk ishte i martuar, Rreshteri Rai la gruan, Ashantën dhe katër fëmijët që sot jetojnë në Angli.
Ndonëse në Kosovë nuk ka një rrugë me emrin e këtyre dy heronjve, shteti i tyre është kujdesur që në Londër të paktën të mbillet një pemë me emrat e dy ushtarëve në nderim të tyre.

Në Ealing të Londrës sot po rritet pema që mban emrin e dy ushtarëve të vdiqën në Kosovë
Për këtë rast tragjik kishte folur para mediave nënkoloneli Nick Clissett, zëdhënës britanik i KFOR-it. Ai kishte treguar se mina që shpërtheu atë kohë kishte origjinë nga NATO. Ato ranë në tokë nga aeroplanët bombardues të NATO-s që sulmuan forcat serbe porse disa prej tyre nuk kishin shpërthyer.

Vendi i ngjarjes, 20 vjet më parë
“Bombat ishte mbledhur nga njerëz lokal pranë një ndërtese shkollore. Ata ishin lutur që ushtarët të mos shpërthejnë eksplozivin atje ku ishin lutur që ushtarët të mos shpërthejnë eksplozivin atje ku ishin, pasi kjo do ta shkatërronte shkollën e fshatit. Vendimi u mor nga komandanti në terren, për të lëvizur municionet, në interesin më të mirë të fshatarëve. Ata u shpërndanë në tre shtylla për të pakësuar efektet e një shpërthimi të kontrolluar. Dy shtylla shpërthyen para kohe me rezultate tragjike”, kishte deklaruar Nick Clissett, zëdhënës britanik i KFOR-it.
Sot në Prishtinë janë dy pllaka përkujtimore për të nderuar ushtarët e KFOR-it që vdiqën në Kosovë. Ndonëse në lapidarin për ushtarët e NATO-s të vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë nuk ka emra të të vdekurve, në pllakën tjetër afër “Hotel Grand” është pllaka me emrat 14 ushtarëve anglez që kanë humbur jetën në Kosovë, në mesin e tyre ndodhen edhe emrat e Gareth Evans dhe Balaram Rai.

Lapidari ku janë gëdhëndur emrat e 14 pjesëtarëve të KFOR-it britanik

Deri tani numri i ushtarëve të KFOR-it që humbën jetën në Kosovë ka shkuar në 158, ndërsa në mesin e tyre 14 janë nga Britania e Madhe./Indeksonline/