Veç dje, 1269 qytetarët në Fushë-Kosovë morën 1269 shërbime, kryetari Berisha shpreh shqetësimin

Vetëm gjatë ditës së djeshme në Komunën e Fushë-Kosovës kanë marrë shërbime 1269 qytetarë.
Kryetari i kësaj komune, Burim Berisha përmes një postimi i është adresuar qytatarëve në lidhje me situatën me pandeminë COVID-19.
Ky është adresimi i tij:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Fushë-Kosovës,
Ju drejtohem që t’ju informoj në lidhje me shqetësimin tonë institucional sa i përket ofrimit të shërbimeve komunale, të cilat në këtë kohë të pandemisë COVID-19 janë të papërballueshme për kapacitetet ekzistuese të stafit me të cilin momentalisht jemi duke punuar.
Vetëm brenda ditës së djeshme, të datës 04.08.2020, në Komunën e Fushë-Kosovës janë ofruar 947 shërbime komunale, përfshirë të gjitha drejtoritë dhe sektorët. Kur i shtojmë kësaj edhe 322 shërbime shëndetësore, numri i shërbimeve në total është 1269, e rrjedhimisht janë 1269 kontakte me njerëz.
Ky numër kaq i madh i shërbimeve nuk është duke u ofruar vetëm për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës por edhe për qytetarët e komunave tjera, të cilët këto shërbime nuk po arrijnë t’i kryejnë në komunat e tyre amë.
E gjithë kjo po na shkakton shumë vështirësi në respektimin e rekomandimeve të nivelit qendror kundër pandemisë COVID-19.
Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës ju lutemi që të gjitha kërkesat për shërbime t’i kryeni në komunat tuaja!