Veliu i përgjigjet Abdixhikut: Ju mbani përgjegjësi për mospërfshirjen time në listë!
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, një ditë më parë ka deklaruar se ish-kryetari i Podujevës Agim Veliu, e ka vendin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
E Veliu i cili nuk është pjesë e listës së LDK-së për deputet i ka reaguar Abdixhikut pas kësaj deklarate. Veliu ka thënë se përgjegjësinë për mospërfshirjen e tij në listën e kandidatëve e mbajnë kreu i partisë dhe i emëruari i tij në Podujevë.
Postimi i Agim Veliut:
E vërteta nuk mbyllet me lista.
Kam qenë dhe jam pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës jo për interesa personale, por për bindje, punë dhe përgjegjësi ndaj njerëzve që më kanë besuar.
Listat zgjedhore janë mbyllur. Vendimet janë marrë.
Deklarata për “derë të hapur” pas këtij fakti është më tepër formale se sa e vërtetë, nuk e ndryshon realitetin dhe nuk e zëvendëson mungesën time në një garë të ndershme dhe transparente.
Përgjegjësinë për mospërfshirjen time në listën e kandidatëve e mbajnë kreu i partisë dhe i emëruari i tij në Podujevë, të cilët në koordinim të plotë, kanë shpërfillur gatishmërinë time dhe kërkesat e mijëra votuesve të shprehura edhe publikisht që të jem pjesë e garës.
Unë nuk kam kërkuar favore. Kam kërkuar respekt për procesin, për anëtarësinë dhe për votuesit.
Parimet nuk negociohen dhe dinjiteti nuk është çështje momenti.
Do të vazhdoj të flas hapur dhe të veproj me përgjegjësi, sepse politika ka kuptim vetëm kur i shërben qytetarëve — jo kur mbyllet ndaj tyre.
Nëse dera do të ishte vërtetë e hapur, kjo do të reflektohej në vendimmarrje, e jo në deklarata.
Qëndrestarët, anëtarësia, votuesit e LDK-së dhe opinioni publik kërkojnë arsyen pse nuk jam pjesë e listës zgjedhore!!

