10:48 / E Martë, 21 Janar 2020 / indeksADMonline

Veliu: Ne e kemi dhënë ofertën tonë, jemi në pritje që Vetëvendosje të deklarohet

Homazhe janë duke u bërë sot te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka deklaruar se Rugova sot kujtohet si arkitekt i lirisë dhe pavarësisë me të cilin bota demokratike gati për dy dekada e personifikoi Kosovën.

“Në 14- vjetorin e shkuarjes në pavdekësi e kujtojmë presidentin historik Ibrahim Rugova, i cili shënoi shekullin e shqiptarëve”,tha Veliu, raporton Indeksonline.

Ai gjithashtu u pyet lidhur me marrëveshjen që Kosova dhe Serbia të kenë një linjë ajrore të qarkullimit, ku tha se çdo lëvizja që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët, LDK-ja e vlerëson si pozitive dhe kontribuon në këtë çështje.

Sa i përket koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Veliu tha se LDK-ja ka dhënë ofertën dhe se janë në pritje që VV-ja të deklarohet.

“Ne e kemi dhënë ofertën tonë dhe jemi në pritje që VV-ja të deklarohet ndryshe ne diçka tjetër nuk kemi. Është çështje e Kryesisë… se çka do të vendosë sot, mirëpo oferta jonë është ajo që është dhënë është parimore dhe sigurisht edhe Kryesia e LDK-së, do të qëndrojë aty ku është”, përfundoi ai./Indeksonline/