10:45 / E Martë, 27 Tetor 2020 / A. M.

Veliu s’raporton në lidhje me shkarkimin e Rashit Qalajt, reagojnë nga VV-ja!

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes për të raportuar në lidhje me shkarkimin e ish-drejtorit të policisë Rashit Qalajt si edhe shuarjen e Task Forcës Speciale AntiKorrupsion.

Kjo është konfirmuar nga kryetarja e Komisionit…, Fatmire Kollçaku.

“Në vazhdën e reagimit nga zyra e ministrit që për dy data të mundshme këtë javë përsëri kemi marrë përgjigje nga ministri se nuk mundet në këto data me qenë pjesë e komisioni dhe nuk ka treguar ose prezantuar një datë të mundshme që ai të raportonte në komision”, tha Kollçaku.

Ndërsa, reagoi edhe anëtari i komisionit Rexhep Selimi. “Me sa vërejta ministri nuk ka caktuar asnjë datë tjetër. E dimë që ka agjendë, por jo për të mos caktuar asnjë datë”, u shpreh ai.

Selimit theksoi se Task Forca u shua në moment jo të duhur.“Task Forca është një mekanizëm mund të jetë i përhershëm apo me kohë të shkurtër por Task Forca u shua në momentin kur nuk është dashur”, tha ai.

Ai gjithashtu përmendi vendimin e shkarkimit të Qalajt ku tha se nuk ka pasur ndonjë shpjegim për shkarkimin.