22:58 / E Hënë, 25 Maj 2020 / indeksADMonline

‘Vëllai binjak’ i Kendall Jenner tashmë ka një serial të vetin

Klani Kardashian-Jenner është i njohur, por jo të gjithë “anëtarët” e familjes janë në qendër të vëmendjes. Së fundmi, i vetëdeklaruar si vëllai binjak i Kendall Jenner, Kirby Jenner, po shijon suksesin e tij.

Kirby Jenner prezantoi këtë fundjavë në Quibi një serial. “Emri im është Kirby Jenner. Të gjithë në familje kanë reality show-n e tyre,” thotë ai. “Kështu që kur më pyetën nëse doja të kisha show-n tim, u thashë që nuk e dija. Nuk e kisha menduar, por nëna ime më tha ‘po’.”

Kris dhe Kendall Jenner do të shërbejnë si producente ekzekutive në serial. Që të sqarohemi: Kirby nuk është vëllai i Kendall. Ai fitoi famë kohë më parë teksa u prezantua në Instagram si vëllai i supermodeles. Prej kohësh, Kirby editon fotot e Kendall-it ku vendos veten, të cilat u popullarizuan mjaftueshëm sa për t’i rënë në dorë edhe Kendall-it.

“E zbulova Kirby-n në Instagram dhe ai është i mrekullueshëm,” tha Kendall dhjetorin e kaluar në një intervistë për E!.

Që prej asaj kohe, Instagrami i tij numëron më shumë se 1.3 milionë ndjekës. Identiteti i tij mbetet mister dhe nëpër intervista, Kirby nuk del kurrë nga personazhi, por vazhdon të thotë se është vëllai i Kendall-it.