Vëllai i Mon Balajt: Bërja e shtetit e dëshiron sakrificën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me familjarët, miq, anëtarë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë homazhe te varri i Mon Balajt në përkujtim të 13-vjetorit të rënies së tij.
Vëllai i Monit, Fahri Balaj tha se sot duhet të ndihemi krenarë që ëndrrat e dëshmorëve, ëndrrat e Monit dhe Arbenit dhe vullneti i shumë familjeve tjera do të bëhet realitet.
Balaj shtoi se sot para 13 vjtësh ishin moralisht dhe shpirtërisht të thyer, por që dhimbjen e tyre e kaluan me mbështetjen e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot u bënë 13 vjet, 13 vjet më parë ndiheshim moralisht dhe shpirtërisht të thyer, mirëpo me ndihmën e pashoq dhe mbështeten që na e dhanë pandërprerë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosjes ia arritëm që të mbaim veten dhe të themi se bërja e shtetit dhe rrugëtimi drejt tij e dëshiron sakrificën”, tha ai.
Ai theksoi se familja e tij u rreshtua krah lëvizjeve dhe individëve të cilët e kishin idealin e një shteti të mirë për të gjithë.
“Jo rrallë herë si familje nëpër epokat e ndryshme ishim rreshtuar krah lëvizjeve dhe individëve, të cilët kishin të vetmin ideal, idealin që shteti të jetë i mirë për të gjithë, shtet i barabartë dhe i drejtë për të gjithë”, tha Balaj.
Në emër të familjes, ai i falënderoi të gjithë të pranishmit, të cilët bënë homazhe për nder të 13- vjetorit të rënies së Monit.

