75 Mall Live Search
13:08 / E Premte, 29 Janar 2021 / OSH

Vëllai që qëlloi me 5 plumba vëllanë/ Lakmia për pronë që u shndërrua në tragjedi për familjen nga Sukareka

72-vjeçari nga fshati Studenqan i Suharekës është dënuar me 24 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prizren- Departamenti i krimeve të rënda.

Bajram Gega, më 17 mars të vitit 2019, qëlloi për vdekje vëllanë e tij 64- vjeçar, Ismet Gega.

Gjithçka kishte nisur për një pronë, e cila ishte blerë nga vëllezërit Gega.

Por rreth asaj prone, pakënaqësi kishte pasur Bajrami. Këtu kishte nisur i gjithë konflikti midis Bajramit e Ismetit, tashmë të ndjerë.

Sipas familjarëve, Bajrami kishte pasur përplasje verbale rreth kësaj prone me Ismetin, e cila përfundoi me vrasje.

Në këtë rast, e plagosur kishte mbetur edhe gruaja e Ismetit 43-vjeçarja N.G, shkruan IndeksOnline.

Sipas prokurorisë i pandehuri  Gega, kishte hyrë te dyert e oborrit të shtëpisë dhe me pistoletë-revole kishte shtënë një herë në drejtim të vëllait. Pas të shtënës, Ismeti, i plagosur kishte ikur brenda në shtëpi, ndërsa i akuzuari kishte filluar ta ndiqte atë nga pas.

Bajrami nuk ishte tërhequr dhe kështu kishte vazhduar ta ndiqte vëllanë dhe në derën e shtëpisë për ta ndalur del gruaja e tij, por që Bajrami shtiu edhe në drejtim të saj dhe e plagos, e pastaj edhe hyn në dhomën ku ishte fshehur tani i ndjeri dhe në të shtiu pesë-gjashtë herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar se brenda afatit ligjor të gjitha palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./IndeksOnline/