Vëllaznimi arrin fitore ndaj Golden Eagle Yllit

Skuadra e Vëllaznimit ka arritur të mposht Golden Eagle Yllin në kuadër të javës së 13-të e Superligës së Kosovës në basketboll.
Pritej që suharekasit të vazhdonin me fitore, por ide të tjera kishin lojtarët e ekipit gjakovar. E imponuan lojën e tyre dhe festuan në fund fitoren 60:48.
Vëllaznimi i është revanshuar Yllit për humbjen që ia kishte shkaktuar në Gjakovë në kuadër të xhiros së gjashtë.
Çereku i parë i takoi gjakovarëve me rezultatin 18:13. Rezultati ishte i njëjtë edhe në çerekun e dytë, sërish në të mirë të Vëllaznimit. Vetëm periudha e tretë ishte e Yllit, 14:11.
Vendasit nuk ndalën përpjekjet, por pa rrezikuar asnjëherë dypikëshin e Vëllaznimit, që çerekun e katërt e fitoi 13:8. Kështu fundi i ndeshjes ishte i qetë e pa ndonjë emocion.
Ylli është i katërti me shtatë fitore e gjashtë humbje, përkatësisht me 20 pikë. Gjashtë fitore e shtatë humbje i ka Vëllaznimi, që renditet i pesti me 19 pikë.
Në tabelë udhëheq Trepça me 23 pikë, një më shumë se Bashkimi. Peja i ka 20 pikë, sa edhe Ylli./IndeksOnline/