75 Mall Live Search
21:26 / E Martë, 09 Qershor 2020 / indeksADMonline

Vëllezër në jetën normale, kundërshtar në tribuna

Ndahen në tribuna, por bashkohen me kambanën e tupanit. Janë këta vëllezërit Fatlum dhe Florim Rushiti, të cilët i bien tupanit, aty ku gjithmonë jehonë kënga, por me melodi të ndryshme.

Fatlumi është 20 vjeç, disa muaj më i madh se Florimi. Por, ky nuk është dallimi i tyre i vetëm. Fatlumi bën tifo për klubin FC Prishtina, ndërkohë Florimi për klubin SC Gjilani, shkruan Gazetasheshi.

Duket e çuditshme, njësoj sikurse historia e tyre e cila është e lidhur me ngjyra të ndryshme.

Fatlumi jeton prej vitesh në kryeqytet dhe është i lidhur fortë me ngjyrat ‘bardhekaltër’. Ai prej vitesh është pjesëtarë i tifo grupit “Plisat”, ndërkohë që jo rrallë herë e kryen edhe rolin e tupanxhisë.

Ndërkohë, Florimi është rritur në Gjilan dhe nën petkun e ngjyrave ‘kuqebardh’. Pasioni tij për klubin është shumë i madh, teksa nuk lë ndeshje pa përcjellë dhe atë duke lëshuar kambanën më të madhe që vjen nga shkallët e stadiumit, atë të tupanit.

“Jam pjesë e tifo grupit “Plisat” qysh nga vegjëlia, ashtu siç thotë edhe një këngë e vjetër e jona. Dashuria për klubin sa vinte e rritej, ndërkohë që ky proces vazhdon edhe sot. Prej vitesh unë edhe i bie tupanit dhe përkujdesëm për atmosferën në shkallët e stadiumit”, deklaron fillimisht Fatlumi.

“Pasioni për Gjilanin rrjedh nga mosha e hershme. Shumë herë edhe e kam lënë mësimin për t’i ndjekur ndeshjet e klubit të zemrës, ndërkohë që tani e gjashtë vite i bie edhe tupanit në shkallët e tribunave, aty ku ndodhem gjithmonë tashmë me anëtarët e shtëpisë time të dytë ‘Skifterat’”, deklaroi Rushiti.

Përballjet ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit kanë qenë të shpeshta pasluftës, ndërkohë që edhe vëllezërit Rushiti kanë historinë e rivalitetit ndërmjet vete.

Florimi është më gjaknxehtë, por jo rrallë herë është përkujdesur për ta uruar vëllain e tij.

“Adrenalina sigurisht që të ofron edhe një lloj inati, sepse kur je në shkallët e stadiumit nuk e njeh se kë ke përballë, vëllaun apo ndonjë anëtarë tjerë të familjes. Florimi është më gjaknxehtë, por i kalon shpejtë dhe ma uron fitoren”, deklaron Fatlumi duke qeshur.

“Është një ndjesi më ndryshe se ndeshjet e tjera. Nëse humb Fatlumi unë i përmend deri në ndeshjen kthyese (qeshet). Por natyrisht që gjithçka qëndron në baza të korrektësisë dhe gjithmonë e urojmë njëri tjetrin
”, potencoi Florimi.

Të dy vëllezërit kujtojnë momente interesante, por padyshim se takimi në shkallët e tribunave para ndeshjeve është një emocion i veçantë.

“Për shkak të sigurisë, mund ta veçojë takimin në tribuna për pak minuta. Është një emocion i veçantë kur e sheh vëllaun me fanellë ndryshe”, shtoi Fatlumi.

Ndërkohë, Florimi, i njohur ndryshe si “Cuki” në tifo grupin “Skifterat” kujton një ngjarje interesante që i ka ndodhur në transfertën në Gjakovë.

“Para dy viteve në Gjakovë, teksa Gjilani po përballej me Vëllaznimin përjetuam disa skena të cilat as nuk mund t’i kishim paramenduar. Me t’u future në stadium, tifozët kundërshtarë filluan të na shajnë dhe ofendojnë pa ndonjë arsye, madje edhe na goditën me shumë gjësende të forta, me ç’rast unë edhe e lëndova këmbën. Por, nga dashuria e madhe për klubin, së bashku me anëtarët e tjerë të tifo grupit nuk ndaluam këngën dhe në fund morëm rezultat pozitiv dhe i shpëtuam ndeshjes së barazhi”, përfundoi Florimi, i cili mbanë emrin e xhaxhait të tij, ish-luftëtarit të UÇK-së, i cili ra dëshmor në luftën e fundit në Kosovë.

Historia e dy vëllezërve Rushiti është e shkruar me ‘penën’ dy ngjyrëshe, atë të kaltër dhe atë të kuqe, por që bashkohet në ritmin e këngës dhe kambanës së tupanit përgjithmonë.