Vendi me shumicë myslimane ku gratë me nikab përballen me gjoba

Policia e Kirgizisë ka shqiptuar gjoba të majme dhe ka lëshuar paralajmërime zyrtare për gratë që mbajnë nikab – një shami që mbulon fytyrën, që është e ndaluar në shtetin me shumicë myslimane.
Të paktën 29 gra janë gjobitur me nga 230 dollarë secila për shkeljen e ndalesës së nikabit, tha policia. Kjo ndalesë hyri në fuqi më herët gjatë këtij viti.
Gratë u ndaluan gjatë bastisjeve në provincën jugore të Oshit dhe në atë jugperëndimore të Xhalal-Abatit, ku qeveritë lokale, policia dhe shërbimet e sigurisë kanë kryer operacione për zbatimin e kësaj ndalese.
Afër 300 gra që mbanin nikab në publik u ndaluan nga oficerët në dy ditët e para të operacioneve të kryera në prill në Osh, sipas policisë rajonale.
Kirgizia ka miratuar këtë vit një ligj që ndalon nikabin, shaminë që mbulon të gjithë fytyrën, përveç syve. Sipas ligjit, gratë që e shkelin ndalesën dhe përdorin nikabin në publik, përballen me gjoba.
Ligji, i nënshkruar nga presidenti Sadyr Japarov, nuk përmend në mënyrë eksplicite nikabin, që në Kirgizi njihet si “parandzha”. Por, ai sanksionon “veshjen që e bën të pamundur identifikimin e një personi në zyrat e Qeverisë dhe në hapësirat publike” – formulim që shpesh përdoret në Azinë Qendrore për të përshkruar nikabin.
Ndalesa nuk prek hixhabin, shaminë islamike të kokës që mbulon flokët dhe qafën, por lë të zbuluar fytyrën.
Nikabi ka qenë mjaft i popullarizuar në Kirgizi, veçmas në Osh dhe Xhalal-Abat gjatë dekadës së fundit. Bastisjet kryesisht u përqendruan në këto dy provinca.
Ngritja e vetëdijes për ndalesën e nikabit
Që nga prilli, fushata për zbatimin e ndalesës së nikabit përfshin bastisje nëpër rrugë, por edhe përpjekje për ngritjen e vetëdijes, thanë autoritetet rajonale.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit, përfshirë zyrtaret policore, kanë shpërndarë fletushka dhe kanë mbajtur takime me banorët për t’ua shpjeguar ligjin.
Përmes ekraneve të mëdha televizive, të vendosura në hapësira publike në qarqet e rajonit të Oshit, në Uzgen, Kara-su dhe Nukat, janë shfaqur video për të informuar banorët për ndalesën dhe gjobat.
Autoritetet thanë se kanë folur me afër 300 gra që mbanin nikabin gjatë bastisjes dyditore në kryeqytetin provincial të Oshit, Qytetin e Oshit. Afër 80 gra që mbanin nikabin u ndaluan gjatë një bastisjeje tjetër dyditore të zhvilluar në këtë vend gjatë muajit korrik.
Grave iu dhanë paralajmërime dhe fletushka, sipas departamentit të policisë në Osh, i cili tha se Gjykata e Qytetit të Oshit, Zyra rajonale e Komitetit shtetëror për siguri kombëtare dhe Agjencia për çështje fetare dhe raporte ndëretnike janë të përfshirë në mënyrë aktive në këtë fushatë.
Sipas raporteve të policisë, 22 nga 29 grave që iu shqiptuan gjoba ishin banore të Qytetit të Oshit.
Shtatë gratë të tjera u ndaluan në vende të tjera publike në rajonin Xhalal-Abat gjatë “Operacionit Nikab” të zhvilluar në gusht.
Kërcënim i sigurisë?
Popullariteti në rritje i nikabit në Kirgizi ka rritur shqetësimet në mesin e disa politikanëve lokalë dhe figurave publike, të cilët e kanë cilësuar si kërcënim të sigurisë. Të tjerët kanë argumentuar se nikabi tradicionalisht nuk është pjesë e kulturës së Kirgizisë.
Parlamenti dhe mediat kirgize kanë debatuar për mbi një dekadë lidhur me vendin e nikabit në shoqëri.
Drejtoria Shpirtërore Myslimane e Kirgizisë ka mbështetur publikisht qëndrimin e Qeverisë. Kjo drejtori – që mbështetet nga shteti – ka theksuar se “hixhabi është i detyrueshëm [për gratë myslimane], por jo edhe nikabi”.
Por, kritikët kanë argumentuar se ndalesa i izolon gratë që zgjedhin të mbajnë nikabin dhe kufizon lirinë e tyre.
Nikabi është ndaluar edhe në shtete të tjera të Azisë Qendrore, të cilat kanë ndaluar edhe mbajtjen e hixhabit në shkolla dhe vende të punës. Kirgizia është shteti i vetëm në rajon që lejon hixhabin në shkolla dhe zyra qeveritare./rel/